Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se pavarësisht momenteve të vështira që po kalon vendi, qeveria nuk i ka ndërprerë koncesionet për 5 oligarkë.

Në një intervistë për ‘Kjo Javë’ në ‘News24’, lideri i opozitës tha se edhe tenderat për letrën higjienike nuk janë pezulluar, apo shpenzimet e luksit, si arredimi i zyrës së një ministri.

“Vendi është në humnerë ekonomike dhe nuk ka cirk të tërheqë vëmendje as nga Edi Rama dhe as nga sejmenët e tij që ta heqë nga kjo përgjegjësi. Kjo është përgjegjësia e tij që njerëzit janë pa ushqim për fëmijët e tyre, pa një kacidhe në xhepat e tyre dhe bizneset janë me sytë nga qielli. Po vjen sezoni turistik, pse e mban mbyllur kufirin me Kosovën? Greqia i hapi kufijtë. Çfarë do të bësh, do t’i varësh në litarë operatorët turistikë dhe pronarët e hoteleve? Urgjentisht duhet të ulen me qeverinë e Kosovës dhe të bëjnë një plan, duke respektuar sigurisht rregullat dhe të hapin kufijtë. Ç’është kjo zvarritje? 45-50% e turizmit vjen nga Kosova dhe një pjesë nga Maqedonia e Veriut. Urgjentisht duhet vepruar në këtë drejtim, çfarë presim? Çfarë prioriteti tjetër mund të ketë përveçse të shpëtojë sa mund të shpëtojë nga ato degë të ekonomisë që do të vuajnë më shumë për shkak të pandemisë. Nuk ia kam vënë fajin asnjëherë për shkak të pandemisë, se nuk mund tia vë fajin për pandeminë, por ama është përgjegjës absulut që jemi në këtë gropë ekonomike më të madhe për arsyen e vetme sepse edhe në këto kohë paratë e shqiptarëve ka vazhduar ti vjedhë dhe ti abuzojë. E patë denoncimin sot? Një herë ra zjarri në katin e katërt të Ministrisë së Shëndetësisë, tani del që kanë shpërthyer bravat. Pse? Vetëm e vetëm që të manipulojnë dokumentet. Edhe në kohë pandemie Nisida, kur njerëzit ishin mbyllur në shtëpi, sepse ky u dilte 9 orë në TV dhe në Facebook. Edhe në kohë pandemie kanë shkuar dhe kanë vjedhur me tendera sekretë. Edhe për letra higjienike kanë bërë tendera sekretë dhe i kanë blerë produktet dhe mallrat e shëndetësisë dy, tre, katër-pesë herë më të lartë. Është i vetmi vend në Ballkan, ku shpenzohet 200 mijë euro për një zyrë ministri. Prokurimet e mëdha i marrin vetëm 5 njerëz, koncesionet dhe PPP-të, dhe gjithë buxheti i shqiptarëve është për ta. Që hanë dhe pinë me Edi Ramën dhe 3-4 ministrat e tij. Rezervat këtu janë. Dhe faturat e këtyre dështimeve i paguan sot shqiptarët, i paguajnë në tavolinat e bukës, i paguajnë në xhepat e tyre, i paguajnë në pamundësinë e tyre të përditshme.”, pohoi kryeopozitari Basha.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb