Në një intervistë të dhënë në “Zonë e Lirë”, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tha se Lulzim Basha nuk është lider dhe ai humbi zgjedhjet.

Berisha theksoi ndër të tjera se ai nuk largohet nga politika, pasi kjo gjë ka të bëjë me anti-konformizmin e njeriut. Duke u ndalur në vendimin e Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, Berisha tha se kryedemokrati këtë nuk duhet ta bënte me vendim personal, por të konsultohej më parë me anëtarët e kryesisë.

“Jo nuk ia fala, Bashës ia fali anëtarësia sepse ai vinte si kryetar i bashkisë së Tiranës. Ai është lider i thyer. Rama i ka vjedhur zgjedhjet, por Basha nuk i ka fituar zgjedhjet. Është tjetër ti vjedhë zgjedhjet dikush, e tjetri të mos i fitojë. Ditën e zgjedhjeve votuesit e PD të pyetur për Bashën thonin pse votove për PD vetëm, 19 % të tyre thanë votuam për Lulzim Bashën.

Është shumë e thjeshtë, me anti-konformizmin e njeriut. Nëse në tetë vite unë qëndrova duke mbrojtur interesin publik dhe kombëtar ashtu siç e gjykoj unë, nuk bëra asgjë tjetër veçse heshta. Nëse heshta unë për projektin e Mitrovicës, të Kosovës, fatkeqësisht ai projekt po ecte me shpejtësi të madhe. E këtu unë nuk heshtja dot. Sali Berisha më shumë se çdo tjetër denoncon.

Pse e bëj unë atë? Sepse të kërcënojnë ty, qytetarët, gazetarët. Unë mbroj interesin publik. Denoncoj të gjitha aferat korruptive të Ramës dhe të tjerat. Cilët pengova unë këto 8 vite për t’i bërë këtë? Nëse kthehesh në vitet ‘90 kam pasur disa artikujt të botuar, e ku çështja kryesore ishte anti-konformizmi. Unë s’do të jem kurrë konformist. Basha duhet të japi llogari para demokratëve për këtë vendim, pa pyetur anëtarët e partisë”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: