Kryetari i PD Lulzim Basha nga Kurbini tha se Edi Rama nuk kalon dot testin e Berlinit, ndërsa shtoi se duhet që ai të ikë, me qëllim që të hapen negociatat me Shqipërinë. Basha shprehu bindjen se Rama do të marrë përgjigjen e duhur në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, kryeministri nuk e kalon testin e Berlinit, duke iu referuar çeljes së negociatave pasi nuk kalon dot as testin e Kurbinit.

“Tentativa kriminale për të diktuar një proces fals zgjedhor, tentativa për t’i zgjatur orët kufomës politike të Rilindjes, jam i bindur që do të marrë përgjigjen e duhur anembanë Shqipërisë, duke nisur këtu nga Kurbini. Po apo jo? Edi Rama me gënjeshtra dhe me mashtrime, hilera dhe dredhira, mendon se do t’jua kalojë miun nën hundë Europës.
Nuk ia kalon miun nën hundë Europës. Nuk pranon Europa të hapë negociatat me një vend kryeministri i të cilit është kapur duke vjedhur votat me krimin, është kapur duke vjedhur qindra miliona euro të qytetarëve të vet. Është kapur duke mbrojtur kriminelët. Që të kalojë nëpër Europë, duhet të ketë vlerat për të cilat luftojmë ne, zgjedhjet e lira, ndarja dhe balancimi i pushteteve, drejtësia e pavarur, liria ekonomike, zbatimi rigoroz i Kushtetutës, janë bibla dhe kurani i qeverive europiane.

Nuk kalon Rama testin e Berlinit, sepse nuk kalon dot as testin e Kurbinit. As Berlini e as Brukseli, as Londra e as Parisi, nuk qasin autokratët e korruptuar dhe të inkriminuar. Dhe këtë e kanë bërë të qartë.
Ne duhet patjetër t’i hapim rrugën europiane të vendit. Ne duhet patjetër t’i hapim negociatat, ndaj duhet një orë e më parë t’i japim fund kësaj marrëzie: Të largojmë Edi Ramën dhe të bashkojmë të gjithë energjitë tona pozitive, të djathtë e të majtë, drejt një zgjidhjeje politike që e rikthen sovranitetin tek njerëzit”, deklaroi Basha.

(d.xh/Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: