FIER

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë paradite një takim me demokratët në Fier.

Në fjalën e tij, Basha është ndalur te zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke thënë se kjo ditë u kthye në një nga vjedhjet më të mëdha të këtyre 30 viteve.

Më tej, kryedemokrati ka deklaruar se beteja e nisur para 25 prillit, ishte një betejë për shqiptarët, ndaj dhe sipas tij, do të vazhdojë për ta, për Shqipërinë dhe demokracinë.

PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN ME DEMOKRATËT NË FIER:

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike për degët e qarkut të Fierit, kryetarë, sekretarë të degëve, të grupseksioneve, anëtarë të kryesive, kandidat Dua ta nis me një falënderim nga zemra për gjithsecilin prej jush, për gjithë familjarët tuaj, që bashkë me ju kanë ndarë barrën e sakrificës personale dhe mbi të gjitha për të gjithë ata mijëra demokratë që keni drejtuar në një betejë epike më 25 prill. Midis një Partie Demokratike të zbritur në fushën e betejës vetëm me zjarrin dhe pasionin e shpirtit dhe misionin për t’i shërbyer qytetarëve dhe përballë me një kundërshtarë i cili riktheu të gjitha praktikat dhe metodat e regjimit të përmbysur në vitin 1992. Përmasat e asaj beteje, janë të patregueshme dhe të pa mbërthyeshme jo në një fjalim, por në dhjetëra fjalime, por gjurmët e asaj beteje janë kudo. Së pari, janë në angazhimin masiv të bashkëqytetarëve tuaj në Fier, Mallakastër, Roskovec, në Patos, në Lushnje, në Divjakë, të cilët kërkuan dhe morën nga ne, nga Partia Demokratike, nga ekipi ynë, nga të gjithë ju, nga ata mijëra të tjerë që nuk ndodhen sot këtu por që ishin natë e ditë me ju në çdo pjesë të betejës, shpresën, besimin se ndryshimi është i mundur. Dhe e shprehën atë me numra nga më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë ky qark në 30 vite pluralizëm. Padiskutim, pritshmëritë tona ishin më të larta.

Padiskutim tmerri i kundërshtarit ishte në përmasat më të larta që ka patur ndonjëherë. Dhe kjo është arsyeja se pse betejës tonë qytetare dhe europiane me program, me ide, me zgjidhje, e cila preku çdo shtresë, çdo grup interesi, çdo moshë në çdo cep të këtij qarku dhe të gjithë Shqipërisë, Edi Rama dhe regjimi i tij ju përgjigj me shitblerje masive votash, me shkelje flagrante dhe kriminale të kodit zgjedhor, të vet atij kodi që votuan në mënyrë të njëanshme më 5 tetor, me punësime masive të paligjshme dhe të rreme. Që nga bashkia e okupuar, tek Alb-Petroli dhe çdo fushë tjetër. Me presione të tmerrshme kriminale ndaj administratës, ndaj biznesit, ndaj sipërmarrjes në tërësi, ndaj familjeve të qytetarëve, ndaj mësuesve, ndaj mjekëve dhe ndaj personelit shëndetësorë në tërësi. Si me angazhimin e zakonshëm të aradheve të kriminelëve, të cilët bënin natën të vetmen fushatë të Edi Ramës, blerjen e votave nën kërcënim derë më derë. Kjo është tabloja e qartë që është shpalosur tashmë anembanë vendit. Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët. Vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata.

U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo. Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata. Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me hallet dhe problemet e tyre që nga naftëtarët e Ballshit tek fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale. Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë.

Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër? Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb. Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët. Sepse sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të shpresojnë, të besojnë dhe të drejtohen e të udhëhiqen për t’i nxjerrë nga një hall i cili është edhe më i madh se ai që kishim para 25 prillit. Çfarë zgjidhi 25 prilli për qindra naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë? Çfarë zgjidhi për mijëra fermerë të Myzeqesë? Çfarë zgjidhi për bizneset e vogla? Çfarë zgjidhi për ata mjeran të cilët pasi i varfëroi deri në palcë ua bleu dinjitetin me një grusht parash të vjedhura po nga xhepat e tyre? Asgjë!

Dhe këtu vijmë tek konkluzioni ynë i parë. 25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë mjet pushteti në dorë, vetëm me shpirtin e tyre janë në gjendje të bëjnë një mobilizim masiv dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë e ta çojnë në buzë të greminës gati për ta hedhur aty ku e ka vendin. Padiskutim me këtë vjen edhe konkluzioni i dytë i cili besoj se nuk është sekret as për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave për kontrabandë apo për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo. Ky degradim, kjo dekadencë, ku degjenerim është për fatin e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë. Si do të vazhdojë kjo betejë? Në të gjitha format, në të gjitha mënyrat, në çdo fushë beteje Një gjë është e sigurt si drita e diellit sot fundi i kësaj beteje nuk mund të jetë triumfi i regjimit Rama-Doshi, por përmbysja e këtij regjimi dhe fitorja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb