TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nga foltorja e bllokuar e Kuvendit, kryedemokrati thotë se Rama dhe Xhafaj janë dy përgjegjësit kryesorë nëse Shqipëria nuk merr në qershor hapjen e negociatave me BE.

“Je përgatitur që nëse nuk hapen negociatat në Qershor t’u thuash shqiptarëve se fajin e ka opozita. Rama dështoi që të plotësojë kushtet për në BE. Kriminalizuat Parlamentin, prandaj çfarëdo daulle të shpuar t’i biesh nga kjo foltore, të vërtetës nuk i shpëton dot. Vetëm ti dhe Xhafaj jeni përgjegjës sot për moshapjen e negociatave. Nuk e bëri PD Tahirin ministër të Brendshëm, por ishte ti Rama. Nuk e lidhi PD Tahirin me krimin, por ti. Nuk e bëri PD Xhafajn ministër të Brendshëm, ndërkohë që vëllai vijon të jetë bosi i drogës në Shqipërisë.
Ti do vetëm llafe boshe, gënjeshtra, trillime, fyerje dhe kërcënime, kundër qytetarëve të tyu, kundër gazetarëve, kundër opozitës, madje edhe kundër europianëve që ta thonë në sy të vërtetën”, u shpreh kryedemokrati Basha.

Kreu i PD-së tha se Rama ka vepruar njësoj si me Xhafajn edhe me personazhe të tjera të njohura, duke kujtuar Elvis Rroshin, Arben Ndokën, Mark Frrokun etj.
“Ti Edi Rama në vend që të merreshe urgjentisht me Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij fillove sulmin ndaj dëshmitarit, gazetarit dhe opozitës. Bërë për 12 orë ekspertizën, ku e çove, kush ta bëri. Je një gënjeshtar. Kështu bëri me Mark Frrokun, Arben Ndokën, Elvis Rroshin e Sajmir Tahirin, kështu po bën me Fatmir Xhafajn dhe Agron Xhafajn. Ju kujtohet si thoshte nuk ka drogë, jeni të marrë që flisni për drogën. Largimi i kontrolluar dhe me fshehtësi i Agron Xhafajt është ekspertiza e plotë e audio-përgjimit. Agron Xhafaj nuk u largua si njeri i penduar. E vërteta është që ai u largua si një pjesë e një plani kriminal për të shpëtuar Fatmir Xhafajn dhe për t’i shpëtuar hetimit në Shqipëri. U largua i shoqëruar me temena nga policia. Nëse ndaj tij ka filluar hetim pse u la të ikte.
A i ka çuar letra Arta Markut, Donika Prelës? Pse policia dhe prokuroria nuk kërkuan bllokimin e pasaportës dhe ndalimin e daljes nga vendi të Agon Xhafajt. Kush e njoftoi policinë, Edi Ramën, Fatmir Xhafajn për identitetin e dëshmitarit X? Këto janë pyetje retorike, përgjigjet i di çdo shqiptar. Sot shteti ka rënë”, deklaroi Basha.

Sipas tij, Edi Ramës ka shkelur dhe shkel çdo ditë Kushtetutën dhe ligjet e vendit për të mbrojtur Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn. “Ligji antimafia është miratuar për t’i dhënë garanci BE-së se Shqipëria do të kishte jo vetëm vullnetin por edhe forcën për të goditur krimin dhe pasuritë e krimit.
Ju jeni tradhtarët e vërtetë të popullit duke tradhtuar interesat e popullit. Ftoj të gjithë shqiptarët pa dallim bashkohuni me qindra mijëra protestues ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin”, tha kreu i PD.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb