Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë sot në një biznes të madh prodhues në Durrës, ku ka dëgjuar ankesat e drejtuesit dhe punonjësve të tij. Basha deklaron se Rama e dërrmoi ekonominë me taksa të larta, reduktim të furnizimit dhe cilësisë së energjisë dhe rritje të burokracive dhe korrupsionit.

Ai iu ka shpejguar programin e PD për ekonominë duke u ndalur veçanërisht tek plani për energjinë. Basha thekson se më 25 prill, zgjedhja është e qartë: ose Rama ose Shqipëria.

“Vizitova sot një biznes të madh prodhues në Durrës, një investim inovator i nivelit europian. Dëgjova me keqardhje nga drejtuesit dhe punonjësit e këtij biznesi se gjendja është bërë e padurueshme. Rama e dërrmoi ekonominë me taksa të larta, reduktim të furnizimit dhe cilësisë së energjisë dhe rritje të burokracive dhe korrupsionit. Të rinjtë profesionistë janë larguar dhe nevoja për burime njerëzore të trajnuara është urgjente. Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Edi Ramën!
Për këtë arsye ne jemi konsultuar prej gati dy vitesh me biznesin, kemi punuar prej muajsh me ekspertët më të mirë dhe kemi hartuar plane pune serioze. Planet tona do të sjellin mirëqenie për të gjithë qytetarët. Bizneset do të fitojnë nga klima favorizuese, taksat e ulëta, reduktimi i inspektimeve dhe mbështetje nga qeveria.
U shpjegova drejtuesve të këtij biznesi se veçanërisht plani ynë për energjinë do ta çlirojë tregun nga monopolet dhe oligarkia. Ne angazhohemi ta liberalizojmë tregun e energjisë. Qytetarët dhe bizneset do ta blejnë energjinë në bursën e energjisë që do të ngremë për këtë qëllim. Angazhohemi të rikthejmë konkurrencën në tregun e karburanteve dhe të ulim çmimin. Taksa Rama 240 lekë/litër karburant do të shkojë bashkë me padronin e saj. Do të reduktojmë faturat e energjisë për 70% të familjeve duke ulur çmimin për ata që konsumojnë nën 300 kW/h.
Kërkesa e sipërmarrësve dhe punonjësve ishte e qartë: DUHET NDRYSHIM! Rama ka dështuar në çdo fushë këto 8 vite. Shqipërinë do ta nxjerrim nga balta ne, me planet tona serioze dhe realiste. Nuk kemi premtuar mrekulli! Jemi angazhuar të bëjmë për vendin punën e një qeverie normale. Një qeveri që do të kujdeset për çdo qytetar. Më 25 prill, zgjedhja është e qartë: ose Rama ose Shqipëria. Edhe vendimi është i qartë: Rama humb dhe Shqipëria fiton!
#SHQIPERIAFITON”, deklaron Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb