TIRANE

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku ishte i pranishëm edhe kryeparlamentari i Maqedonisë Talat Xhaferi, kreu i PD Lulzim Basha shprehu ngushëllime për aksidentin tragjik në Maqedoni.

Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë projektligjin për ratifikimin e Protokollit të NATO-s për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por Basha tha se qytetarët shqiptarë nuk mund të festojnë, pasi sipas tij qeveria ka ardhur nga krimi dhe se sot sipas tij vendi është në mortin e dytë të rënies së shtetit në Shqipëri. Basha tha se negociatat nuk do të hapen në qershor.

Aksidenti tragjik ka mbushur me dhimbje popullin shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut dhe dua që në këto orë dhimbje t’u drejtoj ngushëllimet tona më të ndjera. Zoti u lehtësoftë dhimbjet. Maqedonia e Veriut në NATO është një moment i veçantë.  Konfirmoj vizionin e palëkundur të PD në mbështetjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Për PD çështja kombëtare është ylli polar. Procesi i Maqedonisë së Veriut në NATO erdhi pas një përballje të fortë midis faktorëve që nuk duan Ballkanin në NATO por edhe faktorëve që me lidhjet me krimin ishin bërë pengesë. Të gjithë i mbajnë mend skenat në Kuvendin e Maqedonisë. Kush jemi ne të zgjatemi më shumë me hallet e Maqedonisë.

Këta njerëz ketu kanë ardhur në pushtet si shprehje e një grushti kriminelësh. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të festojmë me ju. Shqipëria nuk do ta marrë hapjen e negociatave në qershor. Ky është morti i dytë zoti Xhaferri, mori i rënies së shtetit të Shqipërisë. Një grup oligarkësh që kanë kapur Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse në këtë ditë ne nuk mund të festojmë me ju, por frika e tyre është që këtë qershor Shqipëria nuk mund ta marrë dritën jeshile të hapjes së negociatave. Sot kemi një problem të gjithë problemeve. Të shtunën do jetë protesta më e madhe.”- tha Basha.

Basha tha se kjo qeveri hajdute iu ka hequr bukën e gojës dhe vazhdon t’u heqë bukën e gojës fëmijëve tuaj. “Kjo qeveri është lakuriq para syve tuaj dhe të botës sepse janë kapur duke vjedhur. Janë kapur duke vjedhur tek Unaza e Re ku do nxirrnin vogëlushët në rrugë duke vjedhur 18 mln euro që do ia jepnin një firme fantazme DH Albania. Në mes të Tiranës u kapën duke vjedhur për të shkatërruar Teatrin Kombëtar. U kapën duke vjedhur duke spostuar lumin more.
E keni parë vetë tek përgjimet e VOA-s se si i vodhi dhe bleu votat me Gjushët e Avdylët. Këta hajdutë me këto lekë të vjedhura kanë blerë dhe këto karrige ku ulen. Një në tre mandate nuk përfaqëson votën. Na tregoni kush është Pablo Eskobari i Europës. Shqiptarët e dinë. Këto karrige nuk iu përkasin këtyre por ju përkasin ju të dashur qytetarë shqiptarë. Pushtetin e keni vetë, ndaj duhet ta merrn fatin në dorë”, theksoi Basha.

Ai tha më tej se gjysma e shqiptarëve nuk harxhojnë dot më shumë se 500 lekë të vjetra në ditë, ndërsa këta, duke iu referuar maxhorancës dhe kryeministrit sipas tij vjedhin miliona.
“Miliarda euro taksa, miliarda euro nga çmimi i rritur i energjisë e naftës të zhdukura nga xhepat tuaja. Mjerimi ka mbërthyer vendin nga jugu në veri, nga lindja në Perëndim por fjalëpisët, fyes, kryehajduti që është kapur duke vjedhur refuzon të vetmen zgjidhje politike që mund të ketë sot vendi. Zgjidhja politike e vetme për të shmangur krizën totale është ajo e një qeveri tranzitore me një kryeministër të pakapur nga krimi dhe e zgjedhjeve të parakohshme për të çuar në një parlament të popullit. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur problemet në mënyrë institucionale dhe ligjore. Ne i kemi bërë këto me shpresën e besimin se kriza nuk do thellohej. Nuk mundet që një kryefamiljar të përfundojë në burg dhe të vrasë veten për faturën e energjisë dhe asnjë qeveritar të mos mbajë përgjegjësi kur vjedh miliona. Ne besojmë se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.
16 shkurti është dita e madhe e bashkimit popullor, e bashkimit kundër vjedhjes. Derën e Europës do ta hapim të gjithë bashkë, të shtunën më 16 shkurt. Ejani ta çlironi veten nga kjo humnerë. merrni në dorë fatin tuaj, bashkohuni për një të ardhme dinjitoze”, deklaroi kreu i PD.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: