Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar paraqitjen e sotme të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në SPAK në lidhje me hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011.

Sipas Kullurit, kjo lëvizje e prokurorisë nuk ka karakter politik apo mediatik, por lidhet me elementë të rinj që kanë dalë pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila ka kërkuar një rishqyrtim të plotë të çështjes.

“Asnjë çështje në SPAK nuk bëhet për spektakël. Aty ka elementë të rinj që janë ripërcaktuar nga gjykata e Strasburgut, pra po bëhet një rihetim për çështjen,” tha Kulluri.

Ai shpjegoi se vendimi i Strasburgut ka përcaktuar ngjarjen si një krim shtetëror, duke ngritur pyetje mbi mënyrën si është sjellë shteti, Garda e Republikës dhe opozita e kohës gjatë protestës së 21 janarit.

“Vendimi i Strasburgut lë të kuptohet se duke e cilësuar krim shtetëror, ngre çështje mbi mënyrën si është sjellë organizata, Garda dhe opozita,” theksoi analisti.

Kulluri nënvizoi gjithashtu se në dy javët e fundit mund të jetë marrë në pyetje edhe një nga organizatorët e protestës së dhunshme të vitit 2011, e cila sipas tij kishte prapaskena të qëllimshme dhe financime të dyshimta.

“Ajo ngjarje ka shkak dhe pasojë. Ka pasur një protestë të dhunshme, dhe ka dyshime se janë paguar shumë para për atë protestë. Informacioni operativ që unë kam mësuar kur punoja në Ministrinë e Mbrojtjes është se protesta është organizuar në mënyrë të dhunshme dhe të qëllimshme,” deklaroi Kulluri.

Ai shtoi se pasojat e kësaj ngjarjeje ishin tragjike, me vrasjen e katër qytetarëve, ndërsa theksoi se ka pasur “tejkalim të kompetencave” nga forcat e sigurisë që reaguan në atë ditë.

Në përfundim, Kulluri theksoi se thirrja e Bashës nga SPAK nuk ka qëllim politik apo propagandistik, por lidhet drejtpërdrejt me faktin se ai në atë periudhë ishte Ministër i Brendshëm dhe ka dijeni institucionale për mënyrën si u trajtua protesta.

“Zoti Basha nuk thirret për spektakël, sepse ka qenë ministër i Brendshëm dhe është person që ka pasur dijeni të plotë për ngjarjen,” përfundoi Kulluri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb