TIRANE – “Dorëheqja e Kryetarit të Parlamentit është një parakusht për një hetim të besueshëm,” i ka theksuar sot, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dy zyrtarëve të lartë europianë, z.Ernst Reichel nga Gjermania dhe z.Werner Amon nga Austria, gjatë takimit që pati me ta në selinë blu.

Basha priti së pari, Drejtorin për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, z.Ernst Reichel, të cilit i shprehu shqetësimin e thellë që po kalon vendi për depërtimin e krimit deri në nivelet më të larta të administratës dhe Parlamentit.

Duke e informuar për situatën në vend, Basha u ndal tek akuzat e rënda që janë bërë ndaj Kryetarit të Parlamentit si porositës i vrasjes së dy deputetëve, nga vetë radhët e mazhorancës.

Basha tha se për këtë ngjarje të rëndë është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të plotë të besueshëm e të gjithanshëm. Një hetim i tillë është i pamundur sa kohë që subjekti i hetimit mban dhe ushtron pushtetin e numrit 2 në vend.

Dorëheqja e Ilir Metës nga posti Kryetari i Parlamentit është një parakusht për një hetim të besueshëm.
Përpjekjet e Mertës, Ramës e Tahirit për ta mbajtur të fshehtë për më shumë se 6 muaj denoncimin për vrasjen me pagesë të dy deputetëve nga kryetari i parlamentit, trysnia që i ushtrohet prokurorisë përmes deklaratave të kryeminsitrit, kryetarit të kuvendit e ministrit të brendshëm, që synojnë ta çojnë hetimin në hullinë e paracaktuar prej tyre, përpjekja e kryetarit të Kuvendit për t’ia faturuar këtë ngjarje kriminale opozitës, si dhe dekonspirimi i vazhdueshëm në media i procesit hetimor, tregojnë se Rama-Meta-Tahiri po bashkëpunojnë ngushtë për të shkatërruar mundësinë e një hetimi të besueshëm të ngjarjes.

Mungesa e një hetimi të besueshëm do të ketë pasoja të rënda për besueshmërinë e institucioneve dhe stabilitetin politik e social në vend, theksoi Basha.

Kjo nuk është vetëm një kërkesë e opozitës, por e mbarë popullit, vuri në dukje Basha, që është ngritur në protesta masive duke ngritur zërin për një hetim të plotë e të paanshëm, parakusht i të cilit është largimi i Ilir Metës nga posti i numrit 2 të vendit. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se zhvillimet e fundit e kanë bërë edhe më urgjent dekriminalizimin e politikës, dhe shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për ta çuar këtë kauzë deri në fund. Nuk mund të ketë ecje përpara dhe integrim të Shqipërisë, tha Basha, derisa krimi të largohet nga qeverisja e vendimmarrja.

Basha takohet edhe me N/kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Popullore Austriake

Basha priti në një takim edhe nënkryetarin e grupit parlamentar të partisë popullore të Austrisë, z.Werner Amon, ku ndau shqetësimin mbarëpopullor dhe të partnereve ndërkombetarë për rritjen galopante të nivelit të krimit në vend dhe për uzurpimin që bota e krimit i ka bërë institucioneve më të larta politike dhe administratës shtetërore.

Shqiptarët ndihen të shokuar nga akuzat në gjirin e mazhorancës për skenarë vrasjesh dhe larje hesapesh, tha Basha, duke shtuar se ky skandal thellohet edhe më tepër nga fakti që për më shumë se 6 muaj, kryeministri dhe ministri i brendshëm janë përpjekur te fshehin akuzat e rënda ndaj Kryetarit të Parlamentit, si porosites i vrasjes së dy deputeteve te Kuvendit te Shqiperise.

Basha tha se tronditja e qytetarëve nga këto zhvillime të paprencedent u dëshmua me pjesmarrjen më masive në historine e protestave në Shqiperi, ku populli shprehu indinjatën dhe kundërshtinë ndaj kapjes së shtetit nga krimi, si dhe shprehu kërkesën që Kryetari i Kuvendit të japë dorëheqjen për ti hapur rrugën një hetimi të plotë, thellësisht profesionist dhe transparent të akuzës më të rëndë në këto 25 vite politikë.

Zoti Basha e siguroi z.Amon për vendosmërinë e plotë të Partisë Demokratike për ti shkuar deri në fund sëbashku me qytetarët shqiptarë procesit të dekriminalizimit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: