Raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 7 Korrik në Francë përfundoi me një surprizë qetësuese: ndryshe nga sa pritej “ Tubimi Kombëtar” i Marine Le Pen, jo vetëm nuk siguroi shumicën absolute, çka do të trondiste Francën dhe gjithë Europën, por u rendit i treti me 145 vende, gjithsesi rezultati i saj më i lartë. Fituese edhe pse jo me shumicë absolute doli aleanca “Fronti i Ri Popullor” që siguroi 182 vende, i ndjekur nga Aleanca centriste “Bashkë“ me 168 dhe Republikanët që dikur “bënin ligjin“ në vend vetëm me 60 deputetë.

Pengimi i fitores së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” ishte rezultat i konsensusit gjithëpërfshirës të momenteve të fundit midis “Frontit të Ri Popullor” me “Bashkë” të Macronit, sidomos për tërheqjen nga gara të mbi 200 kandidatëve të tyre që renditeshin të tretët dhe mbështetja e më të pëlqyerve; ndikim të madh pati dhe mobilizimi i përgjithshëm për një pjesëmarrje rekord me mbi 60 për qind.

Në debatet politike dhe në media me të drejtë qortohet ngutja e pajustifikueshme e Presidentit Macron për shpalljen vetëtimthi të zgjedhjeve të parakohshme. Pavarësisht nga “ dushi i ftohtë” në zgjedhjet europiane , ku Tubimi Kombëtar siguroi mbi dy herë më shumë vota se “Rilindja” Macroniste, çka i shtonte dozat e pabesueshëmrisë politike të qeverisjes së tij, ai duhej të priste sa të “ftoheshin gjakrat“ të bëheshin analizat e duhura, konsultime me aktorët kryesorë politikë dhe paraardhësit e tij, të nxirreshin mësimet nga pësimet, për të shmangur të papritura të tilla tronditëse. Po ashtu, Macron ka përgjegjësitë e veta jo të vogla që Franca erdhi deri në këtë pikë vlimi për vehte dhe për Europën mbarë.

Gjithsesi, ngritja e “Tubimit Kombëtar“ si dhe fitorja e “Frontit të Ri Popullor“ nuk ndodhi brenda natës; ai është produkt i një akumulimi mbi 20 vjeçar të firove dhe dështimeve të shumta që kanë shkaktuar në 20 vitet e fundit dy partitë tradicionale të majta dhe të djathta me liderët e tyre dhe centristët e Macronit.

Kështu, në zgjedhjet presidenciale të muajit Prill 2002, lideri i atëhershëm i ish Frontit Kombëtar, Jean – Marie Le Pen u rendit i dyti vetëm me 2 për qind më pak se Zhak Shirak, lideri i Bashkimit Republikan dhe presidenti i atëhershëm, duke lënë pas socialistët e Lionel Jospin. Në ato kushte, për të shmangur fitoren e Le Penit në balotazh, ish Kryeministri Jospin, ky social-demokrat i moderuar bëri thirje për të mbështetur Aleancën republikane, duke u larguar me dinjitet nga skena politike. Shiraku fitoi, mirëpo pastaj klasa politike franceze e anashkaloi, madje e la mënjanë Frontin Kombëtar ashtu si dhe ekstremin e majtë, me mendimin naiv se koha dhe alternativat e partive tradicionale do ta dobësonin atë.

Ndërkohë, pasardhësi i tij, Sarkozi u dha shumë mbas reformave të brendshme sidomos sigurisë por pa sukses. Në kuadrin e afirmimit të fuqisë në rritje të Francës në botë,Sarkozi lançoi me bujë nismën gjeopolitike “Bashkimi për Mesdheun”. Mirëpo një vit mbas zgjedhjes së tij shpërtheu kriza e madhe financiare në Europë. Ajo nismë, ku protagonistë ishin ish diktatorët e rajonit dështoi bashkë me Pranverën Arabe. Sarkozi u largua pa lavdi, duke “marrë me vehte“ dhe Partinë Republikane e duke lënë pas njolla korrupsioni penal me brenda dhe me jashtë.

Mbas tij, Presidenti socialist François Hollandë erdhi në Elizée me një fitore plebishitare në vitin 2012, duke e ringjallur PS-në e drobitur dhe me shumë ide intriguese. Mirëpo në Paris shpërthyen aktet e rënda terroriste në nëntor 2015 dhe pot trazira të tjera sociale, të cilat e shpëqëndruan vëmendjen nga aspektet ekonomike. Mosmbajtja e fjalës prej tij krijoi zhgënjime masive, duke “çuar ujë në mullirin” e ekstremit të djathtë dhe të majtë që rriteshin pa bërë gjë, falë gabimeve dhe dështimeve të pushtetit. Derisa beniamini i tij, ish Ministri i Ekonomisë, Macron u largua nga everia dhe krijoi lëvizjen centriste “ En marche”. Ai e sfidoi direkt ish padronin e tij, duke fituar bindshëm në zgjedhjet presidenciale në maj 2017 dhe duke marrë shumicën absolute në Parlamentin francez. Kështu, ai kanalizoi dhe grumbulloi zhgënjimin e socialistëve dhe të republikanëve tashmë të rënuar me idenë për një Francë “as të majtë as të djathtë, por të qendrës“

Mirëpo, brenda vendit, në vend që të zbuste zhgënjimet masive dhe të forconte kohezionin politik, social dhe ekonomik mbas gjithë atyre traumave të mëdha, duke patur komoditetin e shumicës absolute, Macron bëri të kundërtën; ai ndërmori disa reforma të drejta në parim, por tejet të guximshme dhe jo popullore; ato krijuan reagime të fuqishme sfiduese negative që ia njollosën shumë shpejt autoritetin Presidencës së tij. Dihet se si jelekverdhët dhe më vonë fermerët tronditën nga themelet stabilitetin e vendit dhe Pallatin presidencial.

Në këto kushte, Presidenti Macron shpresonte se duke patur sukses në politikën e jashtme, jo vetëm do të bënte zërin e Francës më të fortë, por kjo do të ndikonte dhe në përmirësimin e gjendjes brenda vendit. Gabim që e bëjnë dhe politikanë të tjerë, kur dihet se pa qenë mirë dhe i fortë brenda, nuk ke si të jesh mirë jashtë, sepse nuk ke besueshmëri. Kur nuk e ke shtëpinë mirë, nuk ta fishkëllen njeri jashtë! Shkurt do të thonë “një Pasha në Misir por shtëpia s’ka hair”!
Veç kësaj, Macron nuk gjeti mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e duhur nga aleati më i madh në Europë, Gjermania, siidomos nga Kancelari Scholz plot “gërvëre“ politike. Po ashtu, Macron u përfshi në grindje me Turqinë, Italinë, me deklarime të bujshme për “ vdekjen klinike” të NATO-s, në politikën me Kinën e deri te Rusia e Putinit. Sa për Ballkanin, vetë Macron u bë pengues për çeljen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut; ai është autori i strategjisë së re të zgjerimit europian, e cila e ka super vështirësuar anëtarësimin e shpejtë në BE. Ndonëse u detyrua ta ndryshojë qëndrimin e tij më vonë, dëmi ishte bërë.

Në këtë drejtim, në maj 2022 ai shpiku dhe Komunitetin Politik Europian( KPE), në fakt një maskim i vizionit të tij për një Europë “me dy shpejtësi ose me tri rrathë koncentrikë” Me shpresën se kështu do të “qetësonte dhe shpirtrat e trazuar“ ballkanikë. Mirëpo, kjo tezë u hodh poshtë nga vendet e tjera e sidomos Gjermania, sipas të cilave KPE-ja nuk do të ishte zëvendësuese për anëtarësimin e tyre në BE. Tani, dy vite më vonë, KPE-ja është “as në qiell dhe as në tokë”, vetëm me tri samite, pa instancë drejtuese, pa axhendë dhe të ardhme.

Përfundimisht “macronizimi“ i Francës dështoi, ndërsa “Tubimi Kombëtar” bashkë me majtistët e Melenshonit i shfrytëzuan këto dështime dhe dobësi të akumuluara, duke forcuar pozitat e tyre politike dhe zgjedhore në dëm të forcave të moderuara.

Gjatë gjithë këtyre proceseve dhe dështimeve, humbësat më të mëdhenj gjithsesi nuk kanë qenë vetëm tri presidentët e lartpërmendur, por mbi të gjitha partitë e tyre, socialistët dhe republikanët. Kjo mbasi në Francë, më shumë se kudo është vënë re prirja që partitë të vihen tërësisht në funksion të fitores së presidentit të Republikës; paskësaj, ato bien, ulin aktivitetin dhe ringrihen vetëm ku vijnë zgjedhjet e reja presidenciale. E kundërta ka ndodhur me “Tubimin Kombëtar” të Marine Le Pen dhe “Franca Rebele“ e Melenshonit që duke qenë në pozita komode e rritën ndjeshëm shtrirjen e tyre te të rinjtë, shtresat e varfëra dhe të rrezikuara.

E treguam këtë historik të përmbledhur për të shpjeguar gjendjen tejet të ndërlikuar dhe sa vështirë do ta ketë tani Presidenti Macron të bashkëjetojë jo më me një parti të krahut tjetër, por me një koalicion laraman partish. Kjo bashkëjetesë ( cohabitation) ka ekzistuar deri në vitin 1997, por vetëm me një parti tjetër të majtë ose të djathë të qendrës dhe jo me disa njëherësh si tani. Një e keqe problematike, me shumë të panjohura dhe pasiguri, por gjithsesi shumë më e vogël se ardhja në pushtet e “Tubimit Kombëtar” të Lë Penit.

Tani fillon aventura e mundimshme dhe më e vështirë për krijimin e qeverisë së re; këtë radhë nga një shumicë e përzier e socialistëve, social-demokratëve, të gjelbërve, komunistëve të “ Franca rebele” të Melenchon -it me centristët e Macron. Eshtë hera e parë që kjo ndodh në historinë e saj të 80 viteve të fundit dhe me shumë pasoja në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme franceze. Tani Franca dhe Macron vërtet që do të “ shkelin në shtigje të paçelura”!

Vështirësitë fillojnë qysh me krijimin e koalicionit të ri qeveritar dhe ca më tepër në funksionimin e saj. Ndonëse numrat e Frontit të Ri Popullor dhe të “Bashkë“ formalisht “ dalin dhe tepërojnë“, kjo paraqitet shumë e vështirë. Sepse Fronti i Ri Popullor u krijua nga halli thjesht dhe vetëm për të mposhtuar Tubimin dhe aq. Ndërsa të bësh qeveri me ta dhe me qendrën është vërtet si të bësh “stan me lepuj“! Sepse vetë brenda tij, Fronti i Ri Popullor ka socialistët, të gjelbërit dhe komunistët me dallime parimore të papajtueshme politike të brendshme dhe të jashtme. Komunistët e Melennshonit janë anti-gjermanë, anti-BE, anti-NATO dhe anti-semitistë, ashtu sikurse tejet të rezervuar për mbështetjen ndaj Ukrainës. Dhe më i vështirë, për të mos thënë i pamundur është bashkëpunimi i tyre me makronistët. Ndërkohë, dhe socialistët me të Gjelbërit janë shprehur kundër një bashkpunimi me Makronin dhe aleancën e tij “Bashkë“.

Nga ana tjetër, koalicionet e mëdha në Francë nuk njihen në praktikë, siç ndodh në Austri dhe në Gjermani, ku ato janë traditë e konsoliduar.

Kësisoj, mbetet varianti i një qeverie pakice nga çdo krah që do ta fuste sërish Francën në rrugë të panjohura dhe të pasigurta. Edhe varianti i një qeverie teknike/ekspertësh do të përballet me labirinthe problemesh gjatë funksionimit të tij, çka mund ta detyronte Presidentin Macron të shpallte zgjedhjet e reja të parakohshme korrikun tjetër, sipas ligjit përkatës francez.

Të gjitha këto versione dhe dështimet e mundshme dashur pa dashur do të shërbejnë si “municion asgjënsues“ për ekstremin e djathtë dhe të majtë për t’i “shkrepur“ në zgjedhjet presidenciale mbas tre vitesh dhe ato parlamentare, të parakohshme apo dhe të rradhës.

Siç mund të shihet fare qartë, vërtet që më 7 Korrik u shmang e keqja më e madhe, por rreziku i ekstremizmit, tanimë të djathtë dhe të majtë është aktiv dhe i dukshëm, për ta ngritur kokën dhe më fort sapo të krijohen kushtet.

Për pasojë, nga një President i plotfuqishëm, që në këto 6 vite diktonte me shumicë absolute me partinë e tij, si një “ mbret republikan”, dhe kur të ketë një qeveri të re, prapë Macron do të jetë i detyruar të hyjë në lloj lloj kombinacionesh partiake dhe politike, sa majtas aq dhe djathtas, për të siguruar shumicën e nevojshme për një ligj, veprim dhe dekret, me shumë mundime, kosto dhe sakrifica politike. Si pasojë e të cilave, në fund të mandatit ai mund të rezultojë një President i drobitur, i goditur, me një trashgimi tejet të dobët. Shkurt, fusha e tij e lojës dhe manovrimit politik do të jetë tejet e kufizuar me plot vija të bardha dhe linja të kuqe.

Jo më e mirë do të jetë pozita e Francës e sidomos e Presidentit Macron në politikën e jashtme. Me një imazh copë copë të tijin dhe të qeverisë, vështirë se do ta marrë seriozisht më njeri deri në një zgjidhje të re politike, e cila mesa duket do të dojë shumë kohë. Duke filluar nga aleati më i ngushtë ai gjerman, i cili qysh tani duket se e ka “ lënë në baltë” Le pastaj po erdhi dhe Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ja pse në këto kushte dhe rrethana, nuk përjashtohet as mundësia e dorëheqjes së Macron dhe zgjedhjeve të reja presidenciale, gjithsesi me plot të papritura dhe pasiguri të rrezikshme. Edhe mendimi që le t’i shohë njëherë populli sa ju vlen lëkura ekstremistëve që pastaj t’i rrëzojmë me votë është tejet i rrezikshëm. Sepse ofensiva e të djathtës dhe të majtës ekstreme do të vijojë në Francë dhe në vende të tjera. Aq sa do të jetë shumë e vështirë ta rrëzosh atë me votë si dikur apo cë më pak me forcë, sepse ka legjitimitet demokratik. Dhe më e vështirë do të jetë pastaj të ribësh demokracinë liberale, e cila rezikon të ketë fatin e komunizmit për rrëzimin e të cilit ajo ndikoi fuqimisht 35 vite më parë. Sidomos tani kur dhe Amerika është vetë në hall e në telashe. Historia përsëritet. Gjithsesi, urojmë të jemi të gabuar, por gjasat nuk janë fare të mira!.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb