Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur pak ditë më parë në Ulqin të Malit të Zi, ku 36-vjeçarja Dila Ndoj, me origjinë nga Balldreni i Lezhës, humbi jetën në mënyrë tragjike.
Sipas informacioneve paraprake, partneri i saj, 46-vjeçari Bashkim Gashi nga Kosova, dyshohet se e ka vrarë dhe më pas i ka vënë flakën banesës ku jetonin në zonën e Kodrës.
Autori i dyshuar u arrestua nga autoritetet malazeze pak pas ngjarjes.
Lajmi ka tronditur familjarët, të afërmit dhe banorët e zonës nga ku viktima kishte origjinën. Familja e Dilës ka udhëtuar drejt Malit të Zi për të ndjekur procedurat ligjore dhe për të tërhequr trupin e pajetë të së resë.
Ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, familjarët e viktimës do të japin sot dëshminë e tyre ekskluzivisht në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, të autores dhe moderatorë Evis Ahmeti, duke rrëfyer detaje nga jeta e Dilës, marrëdhënia e saj me partnerin dhe dyshimet që kanë mbi atë që ndodhi në orët fatale.
“3-4 ditë para ai ka shfaqur probleme dhe e kishte rrahur. Vajza më njoftoi. Unë fola rastësisht dhe më doli jo mirë. Iu luta që të shkoja atje, por më tha mos hajde se do e zgjidhte vetë. Dhe kur fola në darkë më dukej sikur gjërat ishin të sheshuara, më foli mirë. Unë e kam pasur si motër jo si kunatë. Nga problemet që ka pasur me familjen unë e kam pasur shumë mbështetëse dhe ajo më ka pasur mua. Kanë qenë një familje me shumë probleme. Ajo ka qenë më e afruar me ne, si vajzë ka qenë një vajzë shumë e lartë. Nuk kemi kuptuar asnjë shkak asgjë, për atë natë. Mua më ka marrë policia të nesërmen. Polici i zonës më ka thënë të shihja foton, a është motra e burrit tënd. Dhe e pashë ishte, ajo. Më thotë që Dile ka vdekur. Më tha është djegur banesa, është asfiksuar në banesë, kaq më ka thënë. Ndoshta ajo ka ditur shumë gjëra, por nuk na i ka shprehur. Ditën e fundit më shprehej a më gjen punë të kthehem për Shqipëri. Pas dy javësh do marrim ekspertizën ligjore. Më ka shprehur vetëm mos-kënaqësi për ta, dhe nuk më ka shprehur shumë gjëra. Se pi, po më ka thënë, por siç flitet për shtatzëni e gjëra të tjera.Ne kemi dashur të bënim dasmë, por më ka thënë jo. Ndoshta ka kuptuar sjellje jo të mira të tij. Më tha që donte të njiheshin edhe më shumë.”, ka treguar ajo.
