TIRANE- Gjatë një aktiviteti për bashkëpunimin mes të rinjve shqiptarë dhe atyre serbë që po mbahet në Tiranë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se këto aktivitete duhet të rriten, pasi janë të rinjtë ata që do të ndërtojnë të ardhmen tonë në Europë.

“Të rinjtë duhet të kontribuojnë në frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimet mes dy vendeve tona, të rinjtë e dy vendeve tona përballen me të njejat sfida dhe problematika.
Jemi të ndërgjegjshëm se rina është ajo që do ndërtojë të ardhmen tonë evropiane. Rinia është pjesa më vitale e dy shoqërive tona, ne si ministri jemi të angazhuar për një sërë mbështetjesh”,- tha ai.

Klosi tha ndër të tjera se, “Këto aktivitete shërbejnë më shumë se dhjetëra konferenca. Ka ardhura koha të mos kemi ndrojtje, të kemi komunikim. Shpresoj që edhe ndeshja e futbollit të mos kthehet në një deluzion, të jetë si një derbi mes shteteve ballkanik,e jo si një ndeshje që ndan historinë. Të rrisim më shumë këtë bashkëpunim”.

Klosi premtoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi të nisur nga të rinjtë ai shumë shpejt do vizitojë Beogradin.

Ndërsa Zv. ambasadori i SHBA-ve, David Muniz u shpreh i lumtur për këtë iniciativë të marrë nga të rinjtë e dy vendeve të rajonit, ndërsa i ftoi të rinjtë serbë të shikojnë nga afër sa miqësor është populli shqiptar.

“Ne mund të shikojmë ndryshime në rajon, jam i kënaqur që sot jeni këtu. Shikoni sa miqësor është populli shqiptar dhe sa shumë mund të eksploroni në këtë vend. Siç mund ta keni zbuluar keni shumë gjëra të përbashkëta, më shumë se dallime, ky është vetëm fillimi i një partneriteti”,- shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: