Kryeministri Edi Rama është aktualisht individi politik që mbart të gjithë inatin dhe zemërimin jo vetëm të opozitës, por edhe të shumë individëve e bizneseve punët e të cilëve nuk po shkojnë mbroth me pushtetin e tij. Për hir të së vërtetës me opozitën e ka gjetur, herë me leje, herë me favore dhe herë duke i punësuar i ka futur në rresht në rrjedhën e tij. Justifikimi: Kontributi për atdheun!

Syve të çakërritur të individëve që kërkojnë meritokracinë u hedh nga një rrufe së sipërmi nga pushteti i tij i pamatë, kurse përballë i përqesh dhe kur nuk është n’Atdhe u dërgon përshëndetje prej kancelarive të huaja sesi e adhurojnë, duke e parë nga poshtë. Eh çfarë u mbetet të tjerëve që janë shtatshkurtër! Sa shumë i pëlqen kjo fabul kryeministrit e sa shumë e përmend shpesh gjatësinë…

Në këtë tollovi, opozita bëhet qesharake me nëmat e saj, kur i zbulohen bashkëpunimet jashtë politike (Mbetemi në pritje të një bashkëpunimi real për vendin. Reformat presin aty…pa përgjigje); propaganda vazhdon me sukseset; hajnia me parakalimin e frikshëm para SPAK-ut. Eh sa të tjera…

Në këtë çudi ia vëmë fajin kohës dhe politikës dhe asaj sëmundjes së përhershme të tandemit që ka nisur nga koha e Ismail Qemalit me Esat Pashën. Të dy të përfunduar keq dhe gati të harruar, veçse i pari i ringritur pas ’90, kurse i dyti me përpjekjen për ta retushuar. Për tandemët e tjerë s’është vendi dhe koha. Kjo të vjen ndërmend, kur kujton që ne do mbetemi pengje të tollovisë dhe më shumë akoma pasqyrimit real të realitetit dhe fakteve. Të sotmit me kryeministrin Rama dhe kryetarin e opozitës Berisha, nuk po e kuptojnë se kanë kohë që janë larg njerëzve dhe realiteti që përcjellin është larg shqiptarëve. Tejet larg. Anipse, i kemi përballë dhe vazhdojnë…

Do të shkruanim pafund në këtë sqarim, po të mos na vinte ndërmend një nga faktet e hidhura, mes shumëve syresh. Ne akoma se kemi të kodifikuar historinë e flamurit!! Po, dhe, kur këtë e thonë dy personalitete, llogarit të tjerët. Është fjala për flamurin që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ministri i parë i Drejtësisë dhe pastaj i Arsimit Petro Poga jep këtë version në vitin 1936, kur duke përshëndetur botimin për të katërtën herë të gazetës “Drita” sqaroi, sipas dijenisë së tij, problemin e shumë diskutuar se nga erdhi flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë: “… flamuri i parë që është ngritur në Vlorë, ka qenë një pëlhurë e kuqe tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja dy krenore, me ngjyrë të zezë. Me atë shkabë u gatitnë dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Pëlhura e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qepnë tek një rrobaqepës, i quajtur Thoma, se nuk priste koha për të ngritur flamur luks. Mënyra e ngritjes ish e frikësuar se deti ish bllokuar. Llogaraja e zënë me vetëdashës, përtej lumit Vjosës ushtria turke, në Tepelenë ushtria greke, d.m.th., vetëm Vlora ish rrethuar nga të katër anët”.

Në kujtimet e tij Eqerem bej Vlora ka variant tjetër dhe u përpoq ta tregojë pasi: “E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit, sepse vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”. Historia është tejet ndryshe: “Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur.

Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aladro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare.

Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë “ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej. Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: “Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht: “Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”.

Epilogu është edhe më i këndshëm dhe sërish e sjellim përmes kujtimeve të Eqerem bej Vlorës: “Por natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai,- tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç ’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që ka e kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)!

Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë!”

Cila është e vërteta? Cili ishte flamuri i vërtetë? Ashtu, si ku gjendet dokumenti i parë i Pavarësisë? Si u zgjodh flamuri shqiptar?! Për këtë nuk kemi më kë të pyesim, vetëm të lemë individë që të tregojnë versione dhe historianë të argumentojnë e të provojnë… Po kujt i intereson sot? Të gjithë merren me Epstein dhe ndriçimin që i kanë dhënë këtij vendi Rama dhe Berisha. Me sa duket, humnera jonë morale është aty e krijuar nga panginja jonë për kotësinë në çdo fushë të jetës përgjatë historisë. Dhe, ndaj dhe flamurin e kemi jetim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: