Sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” u trajtua rasti i një 65-vjeçareje nga Korça, e cila për dekada me radhë ka jetuar mes dhunës, frikës dhe konflikteve të rënda familjare.

Një histori që nis me përplasjet për pronën dhe përfundon në akte ekstreme dhune, kërcënime me thikë, urdhra mbrojtjeje dhe akuza të rënda mes vëllezërve dhe motrave.

Ajo tregon se si një nga vëllezërit, së bashku me bashkëshorten e tij, kanë ushtruar presion të vazhdueshëm psikologjik dhe fizik, duke e çuar familjen në shkatërrim të plotë.

Një rrëfim i fortë, i dhimbshëm, që ngre pikëpyetje të mëdha mbi drejtësinë, dhunën në familje dhe pasojat e konflikteve për pronën.

Në një bisedë live me autoren dhe moderatoren e emisionit, Evis Ahmeti, ajo ka rrëfyer se ish-bashkëshorti e ka dhunuar edhe në sy të fëmijëve.

“Pas martesës së dytë të vëllait, na lindën shumë konflikte. Në familjen e origjinës jemi 2 vëllezër dhe dy motra. Problemin e kam më vëllanë e madh, 72 vjeç.
Kisha një martesë 24 vjeçare nga e cila kam edhe 3 fëmijë. Marrëdhënia ime me ta është e mrekullueshme. Marrëdhënia me ish bashkëshortin, fëmijët nuk kanë marrëdhënie me të.
E zgjata aq shumë martesën vetëm për hir të fëmijëve, duke menduar se divorci nuk do të ishte i mirë për ta.
Prita që fëmijët të rriteshin e më pas u divorcova. Fëmijët më kërkonin të divorcohesha, por në atë kohë ata ishin adoleshentë.
Në martesën tonë kishte probleme që në 4 5 vitet e para të martesës, kishte dikë tjetër dhe sërish unë nuk i thoja gjë sepse kisha për të rritur fëmijët.
Ata shihnin atë që i ati i tyre bënte kundrejt meje. Bashkëshorti përveçse më dhunonte psikologjikisht, fizikisht dhe nuk punonte. Punoja për të 4.
Më ka rrahur një herë edhe në sy të fëmijëve, ndërsa unë përpiqesha në maksimum që problemet të mos ndikonin te fëmijët dhe të mos i dëgjonin.
Me ish- bashkëshortin jemi divorcuar në 2006.
Isha në emigracion dhe në 2024 jam kthyer në banesën e prindërve. Prindërit jetonin me vëllanë e madh dhe vëllanë e vogël.
Policia ishte çdo një javë te prindërit, problemet me pronën kanë nisur që në 1991 sepse donte që ta nxirrte nga banesa vëllanë e madh, ai e dhunonte babanë. Ai ka qenë problematik, dhe nuk flet as me fisin”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb