Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në qytetin e Vlorës ku zhvilloi takime në bashki dhe inspektoi disa hapësira publike, komentoi dorëheqjet e fundit në administratën lokale, duke i cilësuar si një akt vetëdijeje.
Sipas Ramës, drejtuesit që kanë dhënë dorëheqjen kanë kuptuar se interesi i qytetit vjen përpara çdo interesi personal. Ai shtoi se disa prej tyre mund të kenë një mundësi të dytë në të ardhmen, ndërsa theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një proces të thellë transformimi.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Drejtuesit, edhe ata rajonalë, kanë dhënë dorëheqjen dhe i falënderoj. Nuk do të ketë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmojë të gjithë dorëheqjet dhe kështu do të ndodhë me të gjitha institucionet e vendit e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë. I ftoj të rinj e të reja të aplikojnë dhe ne do të jemi krah tyre. Një ristrukturim edhe në PS të Vlorës dhe Klevis Kason dhe Erjona Ismailin. Një parti që do të jetë e hapur për të gjithë dhe për të sjellë prurje të reja.”, tha kreu i qeverisë.
Rama tha se me aksionin e nisur për lirimin e hapësirave publike nuk kanë për qëllim që t’i “zënë frymën” bizneseve, por të harmonizohen interesat e biznesit dhe të qytetarëve.
“Ka ikur koha e deputetëve të cilët japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja. Duhet që ata të dalin në terren dhe t’u shërbejnë qytetarëve. Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve. Tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjithë njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizanjë të ri. Për të harmonizuar nevojë dhe interesin e tyre. Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet. Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijësi. Por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve. Policia rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim. “, u shpreh kryeministri.
Rama foli edhe për problemin e ujit të pijshëm, ndërsa shtoi se ministria po përgatit edhe një paketë për reformimin e këtij sektori.
“Problemi i ujit të pijshëm një tjetër problem i adresuar. Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve, çfarë kemi konstatuar është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim. Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahçet dhe tokat bujqësore. Ministria po përgatit një paketë për ta reformuar këtë sektor. Me qëllimin përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, kryesisht në zonat turistike. “
