TIRANE – Bashkia e Tiranës ka fituar betejën ligjore, që i ka hapur përfundimisht rrugën përfundimit të shpejtë të projektit për ndërtimin e Unazës së Vogël.

Bashkia ka fituar gjyqin me pronarët e ndërtesës që njihet ndryshe si INSIG-u, i cili ishte bërë pengesë për vijimin e punimeve dhe përfundimin në kohë të Unazës së Vogël, projekt i cili lehtëson shumë qarkullimin e makinave në qendrën e Tiranës.

Gjykata e Apelit e ka vlerësuar të rregullt shpronësimin për interes publik që Bashkia i ka bërë kësaj godine, në kuadër të projektit të Unazës së Vogël, duke rrëzuar kështu pretendimet e pronarëve të godinës. Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, godina e INSIG-ut u vlerësua me një vlerë prej 2 milionë euro, ndërkohë që pronarët pretendonin një shumë që shkonte deri në 6 herë më shumë.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Administrative i hap rrugë përfundimit të shpejtë të punimeve për ndërtimin edhe të segmentit nga pallati i ish-INSIG-ut deri te Bulevardi Zogu i Parë.

Ndërkaq, 3 segmentet e tjera të Unazës së Vogël kanë përfunduar dhe janë në funksionim të një qarkullimi më të lirshëm të automjeteve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: