TIRANË- Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka njoftuar sot bashkimin e dy partive parlamentare në një forcë të vetme. Bëhet fjalë për Partinë Kristian Demokrate, që drejtohej nga Mark Frroku, e cila do të shkrihet duke iu bashkuar PDK-së, ndërsa tashmë të dyja forcat do të kenë 3 deputetë në parlament.

Arritja e marrëveshjes mes 2 partive është njoftuar sot. Tashmë partia e Mark Frrokut, e cila tani përfaqësohet në Kuvend me Mirela Ferracakun do të jetë brenda siglës së PDK­-së. Në këtë mënyrë, sipas Ndokës, me lëvizjen e bërë PDK-­ja do të ketë 3 deputetë në Kuvend, duke përfshirë këtu vetë Ndokën, Ferracakun dhe Eduard Ndocajn.

DEKLARATA E PDK
Gati Bashkimi i faktorit Demokristian
Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokrate kanë rënë dakort në parim për bashkimin e dy partive parlamentare në një forcë të vetme politike nën siglën e PDK-së. Grupet e punës tashmë kanë përfunduar negociatat dhe pritet vendimarrja e përbashkët e dy forcave politike për legjitimimin e procesit të bashkimit.

Tashmë alternativa demokristiane në Kuvendin e Shqipërisë do të përfaqësohet me tre deputete.
Dy grupet e punës kanë hartuar modalitetet e bashkimit të dy partive si dhe kanë ngarkuar përfaqësuesit e dy partive për të vazhduar negociatat edhe me partitë e tjera të spektrit demokristian, Partinë Aleanca Demokristiane të drejtuar nga z. Zef Bushati dhe Partinë Lidhja Demokristiane të drejtuar nga z. Mëhill Geci.

Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokarte, që kanë marrëveshje politike për bashkëqeverisje me maxhorancën aktuale, konfirmojnë vazhdimin e këtij bashkëpunimi në respekt të marrëveshjeve të nënshkruara. Deputetet Demokristianë do të unifikojnë qendrimet e tyre politike në mbështetje të reformave dhe mireqeverisjes se vendit.

Partia Demokristiane e Shqipërisë, do të informojë për procesin e bashkimit dhe unifikimit të faktorit demokristian, Aleatët tanë politike në Shqipëri dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Presidentin e Unionit Kristiandemokrat Europian, z. Pier Ferdinando Casini dhe CDU-në gjermane të Kancelares Merkel, si dhe zotin Fleckenstein, raportuesin në Parlamentin Europian, si një mik të Shqipërisë dhe të Demokristianëve. Partia Demokristiane e Shqipërisë, Tirane, me 16 Maj 2016.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: