Bastar Murrizi njihet si një nga fshatrat që prodhon më shumë domate në zonë, por këtë vit fermerët janë përballur me mungesë të tregut për shitjen e prodhimit të tyre. Ata shprehen të zhgënjyer, duke thënë se tregtarët e shumicës po tallen me ta, pasi kërkojnë ta blejnë domaten me vetëm 300 lekë të vjetra për kilogram.
“S’na del as kostoja e prodhimit me këtë çmim. Kemi bërë shumë shpenzime për fidanët, për ujitjen e për plehrat, ndërsa tani po na kalben domatet në parcela,” thonë fermerët.
Ata shtojnë se e vetmja gjë që kërkojnë nga shteti është sigurimi i tregut për produktet bujqësore, pasi zona e tyre jeton vetëm me bujqësi dhe blegtori. “Ne jemi një zonë malore, jo shumë larg nga Tirana, por nuk kemi asnjë vend ku të tregtojmë prodhimet. Në këto kushte, shumë prej nesh kanë vendosur që vitin tjetër të mos mbjellin më domate,” shtojnë banorët e Bastar Murrizit.
Pamjet nga parcelat tregojnë domatet që po kalben në arë, një situatë që, siç thonë fermerët, të dhemb ta shohësh pas gjithë mundit të një viti të tërë.
