Sekretari i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, e quajti një “sulm ndaj popullit amerikan” gjobën që Bashkimi Europian i vuri platformës X.
Në një postim në rrjetin social të Elon Musk, Rubio theksoi se: “Gjobën prej 140 milionë dollarësh që ka vendosur Komisioni Europian, nuk është vetëm një sulm ndaj platformës X, por një sulm ndaj të gjitha platformave teknologjike amerikane dhe ndaj popullit amerikan nga qeveritë e huaja”.
Ai shtoi se “Epoka e censurës ndaj amerikanëve në internet ka mbaruar”.
Komisioni Europian ka vendosur një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës “X” për shkelje të detyrimeve të transparencës sipas Ligjit të Shërbimeve Digjitale (DSA).
Shkeljet përfshijnë përdorimin e një “shenje të blerë” që gënjen përdoruesit, mungesën e transparencës në depozitat e reklamave dhe dështimin për të ofruar akses në të dhëna publike për studiuesit.
Sipas vendimit të Komisionit, përdorimi i “shenjës së verifikimit” për llogaritë e “verifikuara” gënjen përdoruesit, pasi çdo individ mund të paguajë për të fituar statusin “i verifikuar” pa pasur një verifikim të vërtetë të identitetit, duke e bërë të vështirë për përdoruesit të vlerësojnë autentikën e llogarive dhe përmbajtjeve që ata ndajnë.
Komisioni thekson se, megjithëse Ligji për Shërbimet Digjitale nuk kërkon verifikim të detyrueshëm për përdoruesit, ai e ndalon platformën të pretendojë rrejshëm se një përdorues është verifikuar kur kjo nuk ka ndodhur.
Kjo, sipas Komisionit, i ekspozon përdoruesit ndaj mashtrimeve dhe manipulimeve të mundshme, përfshirë përpjekjet e keqbërësve për të krijuar llogari të rreme.
