Bashkimi Evropian ka mirëpritur procesin zgjedhor paqësor në Kosovë dhe është shprehur e kënaqur që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve.
“Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
“Për komunat e tjera, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, shtoi ajo.
Nga BE-ja theksojnë se aktualisht në Kosovë ndodhet misioni i tyre i ekspertëve, me ftesë të presidente¬s së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky ekip po vëzhgon procesin zgjedhor dhe, në fund, do të japë vlerësimin të të gjithë procesit.
“Raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) në Kosovë, i majit 2025, theksoi disa raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt të vitit 2025. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprime të tilla gjatë periudhës zgjedhore”, theksoi Hipper.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke “blerë” komunitetin serb që të votojë për Listën Serbe, dhe kanë kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian. Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.
