Komisioni Evropian ka kërkuar që vendet e Bashkimit Evropian (BE) të ulin përdorimin e gazit natyror me 15 për qind deri në pranverën e ardhshme nga frika e shkurtimit të furnizimit të bllokut nga Rusia.

“Rusia po na shantazhon, Rusia po përdor energjinë si armë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë shtypi, duke paraqitur planin e emergjencës dimërore të organit ekzekutiv të BE-së.

Sipas saj, ekziston një “skenar i mundshëm i një ndërprerjeje të plotë të gazit”, kështu që “Evropa duhet të jetë gati”.

Propozimi i Komisionit të BE-së “Kurseni gazin për një dimër të sigurt” u kërkon vendeve anëtare të BE-së të reduktojnë kërkesën e tyre të gazit me 15 për qind midis 1 gushtit 2022 dhe 31 marsit 2023.

Për momentin, dokumenti nënkupton vetëm një rekomandim ligjërisht jo-detyrues për vendet anëtare të BE-së për të reduktuar vullnetarisht konsumin e tyre të gazit, shpjegoi zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans.

“Por në rast të përkeqësimit të situatës, Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të kërkojë reduktime të detyrueshme nga vendet anëtare të BE-së nëse miratohet drafti”, shtoi ai.

Plani synon “të shmangë një krizë të plotë dimrin e ardhshëm”, pohoi Timmermans.

Sipas Komisionit Evropian, furnizimi me gaz në 12 vende anëtare të BE-së tashmë është goditur me ndërprerje të pjesshme ose totale si hakmarrje nga Rusia për sanksionet e bllokut.

BE-ja ka vendosur gjashtë pako sanksionesh kundër Rusisë që pas nisjes së luftës kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Pakot, ndër të tjera synojnë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, ndalojnë importet e naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze, si dhe përjashtojnë bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit bankar ndërkombëtar SWIFT.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb