Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar zyrtarisht një ndalim të plotë të importeve të gazit rus, duke shënuar një hap vendimtar drejt shkëputjes energjetike nga Moska. Vendimi u miratua nga ministrat e BE-së gjatë një takimi në Bruksel dhe do të hyjë në fuqi gradualisht deri në vitin 2027.
Legjislacioni u hartua për t’u miratuar me shumicë të kualifikuar, duke anashkaluar kundërshtimet e disa vendeve anëtare që vijojnë të varen nga furnizimet ruse me energji. Siç pritej, Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër vendimit, ndërsa Budapesti ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë atë në Gjykatën Evropiane.
Sipas rregullave të miratuara, Bashkimi Evropian do të ndalojë importimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia deri në fund të vitit 2026, ndërsa importet e gazit përmes tubacioneve do të ndalohen plotësisht deri më 30 shtator 2027. Në raste të jashtëzakonshme, afatet mund të shtyhen, por jo më vonë se 1 nëntori 2027, nëse një shtet anëtar përballet me vështirësi në mbushjen e kapaciteteve të magazinimit të gazit përpara sezonit dimëror.
Para fillimit të luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, Rusia siguronte mbi 40% të importeve të gazit të Bashkimit Evropian. Deri në vitin 2025, kjo përqindje kishte rënë në rreth 13%, si rezultat i politikave të diversifikimit të burimeve energjetike dhe sanksioneve ndaj Moskës.
Vendimi i Këshillit të BE-së konsiderohet si fundi i një epoke të gjatë të varësisë energjetike të Evropës nga gazi rus dhe një hap strategjik drejt forcimit të sigurisë energjetike dhe tranzicionit drejt burimeve alternative.
