Arben Shkodra, drejtues i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, i ftuar në Log. në News24 për të folur rreth sigurisë ushqimore, deklaroi se reforma e AKU apo e institucioneve të tjera është detyrë që duhet bërë sipas legjislacionit evropian.

Shkodra tha se BE nuk toleron në 2 kapituj, dhe e para është siguria ushqimore. Sipas Shkodrës, Rama e bëri këtë emergjencë tek AKU sepse nuk ka më kohë, pasi duhen përmbushur të gjithë rekomandimet, gjithnjë nëse duam të hyjmë në BE në fundin e 2027.

Arben Shkodra: “Të gjithë e dimë që po shkojmë në një rrugë të shpejtë drejt integrimit evropian. Nëse datat që po jep vetë BE-ja, pra fundi i vitit 2027, prandaj duhen miratuar të gjitha ligjet sipas legjislacionit evropian. Ne do të kemi ndryshime ligjore, pasi janë të detyrueshme, nuk janë më në dëshirën tonë. Ligji do të jetë i përputhur 100% sipas vendeve të BE-së.

BE nuk toleron në 2 kapituj. E para, është siguria ushqimore dhe, e dyta, është ambienti. Edhe Qeveria e pranon se do ta ketë shumë të vështirë t’i mbyllim. Arsyeja? Sepse BE-je kujdeset shumë për njeriun, individin. Pse Rama e bëri tani? Sepse nuk kemi më kohë.

Industria prodhuese ka vuajtur nga AKU-ja. Thelbi i çështjes tani është tjetër, siç e thashë më lart. Tani struktura nuk do të bëhet më nga drejtoritë. Një biznesmen ka provuar deri në 36 inspektoriate. Të gjithë trupet inspektuese nganjëherë shkojnë të mbivendosur dhe kjo është drama më e madhe që kemi pasur. Prandaj kemi pasur nevojë patjetër për një reformim dhe tani ka ardhur momenti.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb