Bashkimi Evropian i bëri thirrje sot Izraelit të anulojë vendimin e tij të fundit për të regjistruar zona të mëdha të Bregut Perëndimor si “pronë shtetërore”, duke rikujtuar se aneksimi është i paligjshëm.

Zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni tha në konferencën për mediat se vendimi i fundit izraelit për të miratuar nisjen e një procesi të regjistrimit të tokës në Zonën C të Bregut Perëndimor “përbën përshkallëzim të ri pas masave të fundit që tashmë synojnë zgjerimin e kontrollit izraelit në Zonat A dhe B”.

Ai vuri në dukje se vendimi minon qëndrueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete. “Ne kujtojmë se aneksimi është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar. Dhe i bëjmë thirrje Izraelit ta anulojë këtë vendim”, nënvizoi El Anouni.

Të dielën, qeveria izraelite miratoi një propozim për të regjistruar tokën palestineze në Bregun Perëndimor si “pronë shtetërore”, duke shënuar herën e parë që kjo masë ligjore formale është përdorur në territorin nën kontrollin izraelit.

Transmetuesi publik i Izraelit raportoi se propozimi u paraqit nga ministri i Financave Bezalel Smotrich, ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz.

Televizioni izraelit “Channel 7” raportoi se masa përfshin hapjen e procedurave të regjistrimit të tokës, të cilat më parë ishin ngrirë, anulimin e legjislacionit të vjetër jordanez dhe zbulimin e të dhënave të tokës që kishin mbetur konfidenciale për dekada të tëra.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: