Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës të mos mbyllë qendrat serbe që ofrojnë shërbime sociale. Brukseli thotë se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku.

Kështu tha një zëdhënës i Komisionit Evropian kur u pyet lidhur me mbylljen e katër objekteve të Qendrës për punë sociale në Mitrovicë të Veriut, që funksiononin sipas sistemit serb, nga Policia e Kosovës më 21 shkurt.

Autoritetet kosovare thanë se në objektet e mbyllura ishin kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

BE-ja tha se është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron situatën dhe Brukseli po pret “detaje të tjera për të përcaktuar faktet”.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. As institucionet e shëndetësisë dhe edukimit të mbështetura nga Serbia, e as strukturat e tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime bazike sociale nuk duhet të mbyllen”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KE-së.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb