Bashkimi Evropian do të pezullojë sanksionet e Sirisë në lidhje me energjinë, transportin dhe rindërtimin.

Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë mbi Sirinë në një takim në Bruksel më 24 shkurt.

BE-ja ka vendosur një sërë sanksionesh kundër individëve dhe sektorëve ekonomikë në Siri. Udhëheqësit evropianë filluan të rimendojnë qasjen e tyre pasi Bashar al-Assad u rrëzua si president në dhjetor nga forcat kryengritëse të udhëhequra nga “Hayat Tahrir al-Sham” (HTS).

Ministrat e BE ranë dakord në janar për një udhërrëfyes për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë, por lanë detaje për negociata.

Draft-deklarata e re thotë se Këshilli i BE-së ka vendosur të pezullojë një sërë masash kufizuese “në fushat e energjisë, transportit dhe rindërtimit, si dhe për të lehtësuar transaksionet financiare dhe bankare të lidhura”.

BE do të zgjasë gjithashtu për një kohë të pacaktuar një përjashtim humanitar për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare, sipas dokumentit.

“Si pjesë e një qasjeje graduale dhe në një hap tjetër, Këshilli do të vlerësojë nëse masat e mëtejshme kufizuese mund të pezullohen”, duke shtuar se “Këshilli do të vazhdojë të shqyrtojë nëse pezullimet mbeten të përshtatshme, bazuar në monitorimin e ngushtë të situatës në vend”.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb