Këngëtarja Bebe Rexha ka treguar herë pas here vështirësitë që i është dashur të kapërcejë për të krijuar një karrierë larg vendlindjes së saj. Artistja shqiptare ka rrëfyer së fundmi detaje të tjera nga jeta profesionale dhe familjare gjatë intervistës për “Time To Walk”.

32-vjeçarja zbuloi se kur ndihet keq, përveç muzikës, edhe ecja është aktiviteti që e ndihmon të kalojë ankthin dhe mërzinë.

“Të ecësh do të thotë qetësi. Kjo me të vërtet më ndihmon me shëndetin tim mendor, ankthin… më qetëson”,- tha artistja.

Bebe e nisi karrierën muzikore në moshën 17-vjeçare dhe rrugëtimi nuk ka qenë aspak i lehtë për të. Tashmë që kanë kaluar vite, ajo që Rexha kujton nga ajo periudhë është mbështetja e madhe që i ati i ka dhënë vazhdimisht.

“Unë qëndrova në shtëpi për tre muaj, nuk pranoja të dilja jashtë. Babai vinte në dhomën time të gjumit, më kapte dorën dhe më thoshte: ‘Le të dalim nga shtëpia’, dhe më detyronte të dilja shëtitje me të. Dhe më kujtohet rruga që bënim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Unë i jam mirënjohëse babit tim për shumë gjëra, por e vetmja gjë për të cilën i jam gjithmonë falënderuese është mbështetja që më ka dhënë gjatë periudhës kur nuk isha e motivuar dhe kur isha mbyllur në vetvete. Ai thjesht më kapte dorën dhe më ftonte të dilnim bashkë.

Ne ndalojmë së kërkuari përbindëshat nën shtrat kur kuptojmë se ata janë brenda nesh”- tha Rexha, teksa zbuloi se nga kjo histori u frymëzua për krijimin e hitit global “The Monster”.

“Është e pabesueshme se si një situatë e keqe mund të të çojë në diçka kaq të mrekullueshme dhe të bukur. Asnjëherë nuk mund ta dini se ku do t’ju çojë diçka”,- shtoi Bebe.

Për këngëtaren, muzika është si një terapi që e ndihmon të largojë mendimet negative, mërzinë dhe të ndihet shumë më mirë.

“E kam shumë të vështirë edhe sot e kësaj dite të them se si ndihem. Unë jam e prirur të mbaj shumë gjëra brenda vetes. Dhe është qesharake se si shumë fansa ose njerëz që dëgjojnë muzikën time vijnë tek unë dhe më mbështesin.

Ata thonë: ‘Kjo këngë më ndihmoi të kaloj një ndarje’. Dhe është qesharake sesi terapia ime përfundoi duke u bërë terapi e njerëzve të tjerë. Unë mendoj se kjo është gjëja më interesante”,- përfundoi këngëtarja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb