Partia Demokratike në Belsh ka mbyllur me sukses procesin e zgjedhjeve të brendshme, duke konfirmuar Bedri Qypin me 307 vota me në krye të degës. Qypi e cilësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm që reflektoi qartë vlerat demokratike dhe frymën e bashkëpunimit brenda strukturave të partisë.
Ai falënderoi të gjithë anëtarët për pjesëmarrjen dhe seriozitetin gjatë procesit, duke theksuar se angazhimi i tyre ishte kyç për një garë të rregullt dhe përfaqësuese. Një vlerësim të veçantë Qypi rezervoi edhe për rivalin e tij, Roland Bullari i cili mori 163 vota , për të cilin tha se zhvilloi një garë korrekte dhe qytetare.
“Këto zgjedhje nuk na ndajnë, por na bashkojnë më shumë se kurrë. Sot dalim më të fortë dhe më të vendosur për të vijuar rrugëtimin tonë politik”, u shpreh ai, duke shtuar se objektivi tashmë është një fitore e qartë në zgjedhjet e ardhshme.
Qypi nënvizoi se uniteti dhe besimi janë çelësi për të përballuar sfidat që e presin Partinë Demokratike në nivel lokal dhe më gjerë, duke apeluar për bashkim të energjive në funksion të forcimit të degës së Belshit.
I lindur më 7 shkurt 1969 në Belsh, Bedri Qypi është një emër i njohur në radhët e Partisë Demokratike. Ai ka përfunduar studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në degën Financë-Kontabilitet.
Angazhimi i tij politik nis që në fillim të viteve ’90, ku ka qenë themelues i seksionit të fshatit Hardhi në periudhën 1992–2003. Në vijim, ai ka mbajtur funksione të rëndësishme, si anëtar i kryesisë së PD-së në Elbasan, kryetar grupseksioni në komunën Fierzë dhe më pas kryetar i kësaj komune.
Në vitin 2016, Qypi u zgjodh për herë të parë në krye të degës së PD-së në Belsh, ndërsa rikthimi i tij në këtë detyrë konfirmon besimin e strukturave ndaj eksperiencës dhe kontributit të tij ndër vite.
