Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas njoftimit të Presidencës për zhvillimin e konsultimeve lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson këtë proces si një “teatër politik” dhe e konsideron të shpërfillshme ftesën e Presidentit Bajram Begaj për konsultime.
Sipas Bardhit, kreu i shtetit nuk po përmbush rolin e tij kushtetues, por po vepron në funksion të kryeministrit Edi Rama.
Bardhi thekson se Shqipëria ka nevojë për garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nënvizuar se shqetësimet e qytetarëve duhet të trajtohen si një emergjencë demokratike.
Ai kritikon Presidentin për qëndrimin që, sipas tij, po mban ndaj protestave dhe kërkesave të qytetarëve, duke argumentuar se kreu i shtetit duhet të jetë zëri i Kushtetutës, demokracisë dhe qytetarëve.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson.
