Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd kanë zhvilluar sot një tjetër protestë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj mosreagimit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për shqetësimet e tyre lidhur me projektin e Korridorit VIII.

Protestuesit kërkojnë që të shpronësohen me çmime të tregut dhe të ndërtohet një tunel alternativ për të shmangur dëmtimin e zonës historike dhe të mjedisit përreth. Ata theksojnë se propozimi i tyre do të mundësonte ndërtimin e rrugës pa cenuar komunitetin dhe trashëgiminë kulturore të fshatit.

Sipas banorëve, ministrja Balluku ka refuzuar vazhdimisht të dialogojë me ta dhe ka shpërfillur kërkesat për një takim të drejtpërdrejtë, duke shtuar më tej pakënaqësinë dhe tensionin në zonë. Protestat, sipas tyre, do të vijojnë derisa të merret një zgjidhje e drejtë.

Një prej tyre u shpreh në protestën e sotme me tone të ashpra ndaj ministres duke kërkuar që të ketë përgjigje dhe transparencë për fatin e qytetarëve.

“Do shkojmë deri në fund, do vijmë t’iu japim përgjigje thonë, asgjë në dritë. Punimet vazhdojnë. Ne çfarë do presim më? Duhet të ngrihemi. Të shkojma ta kapim për fyti edhe ministren. Me çfarë të drejte vjen ajo këtu? Në cilin shtet të botës bëhet një projekt për rrugën dhe nuk shihet një fshat i tërë”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb