Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali i ka dërguar një mesazh falenderimi homologëve të saj në Belgjikë dhe Danimarkë pas vendimeve të të dyja vendeve për hapjen e Ambasadave respektive në Tiranë.

Duke shprehur mirënjohjen ndaj dy ministrave të jashtëm, Spiropali shkruan në rrjetin social X se “këto hapa ndërmerren në një moment kyç për Shqipërinë dhe pasqyrojnë progresin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të integrimit tonë në BE.”

Postimi i Spiropalit:

🇦🇱🇧🇪🇩🇰 Mirënjohje e sinqertë për Ministrin e Jashtëm belg Maxime Prévot dhe Ministrin e Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen mbi vendimet e rëndësishme për hapjen e Ambasadave respektive në Tiranë.

Këto hapa ndërmerren në një moment kyç për Shqipërinë dhe pasqyrojnë progresin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të integrimit tonë në BE.🇪🇺

E vlerësojmë besimin e këtyre vendeve mike në reformat e Shqipërisë, stabilitetin dhe kontributin tonë në sigurinë rajonale, si dhe mirëpresim thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare, duke çuar përpara angazhimin tonë të përbashkët për një Europë më të fortë dhe më të sigurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb