Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo pretendon se në Parlamentin Evropian (PE) kishte deputetë që paguheshin për të bërë “propagandë ruse”, transmeton Anadolu.

De Croo në seancën e mbajtur në Parlamentin belg për ndërhyrjet e vendeve të huaja, tha se kohët e fundit ka patur bashkëpunim të ngushtë mes shërbimeve inteligjente belge dhe çeke për shembjen e strukturës që ai e përcaktoi si “rrjet propagandistik i Rusisë”.

Ai nuk i zbuloi emrat e deputetëve në fjalë, por shpjegoi se “organizatat ruse iu afruan deputetëve dhe u dhanë stimuj financiarë atyre për të përhapur retorikë pro-ruse”.

“Për shembull, u zbulua që Rusia po iu afrohej deputetëve këtu për të promovuar propagandën ruse, por edhe duke i paguar (ata)”, tha De Croo.

Zëdhënësi i kryeministrit belg deklaroi për mediat se De Croo po i referohej vendimit të qeverisë çeke për të vendosur sanksione në faqen e lajmeve të “Zërit të Evropës”.

– De Croo për partinë e ekstremit të djathtë, Vlaams Belang: “Jeni bërë aleat i Rusisë”

Në të njëjtën seancë, De Croo akuzoi partinë e ekstremit të djathtë ‘Vlaams Belang’ në rajonin flaman të Belgjikës si aleate të Rusisë.

Duke iu drejtuar deputetëve të Vlaams Belang, De Croo tha: “Me këtë obsesion të verbër për të shkatërruar vendin tonë, ju jeni bërë aleat i Rusisë, e cila dëshiron të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar këtu, shoqërinë tonë të lirë dhe të begatë”.

Përfaqësuesit e partive të tjera kritikuan politikat e Vlaams Belang. Të Gjelbrit akuzuan partinë e ekstremit të djathtë për “tradhti kombëtare” dhe liberalët flamanë e akuzuan atë për “mbrojtje të interesave të kinezëve dhe rusëve”.

Në lajmet e publikuara në mediat belge, pretendohet se Filip Dewinter, një nga figurat kryesore të Vlaams Belang, kishte lidhje me agjentë kinezë.

Çekia njoftoi se kishte ekspozuar një “rrjet propagandistik” të financuar nga Rusia

Shërbimi i Informacionit të Sigurisë Çeke (BIS) njoftoi dje se ishte ekspozuar një “rrjet propagandistik” me seli në Pragë dhe financuar nga Rusia.

Kryeministri çek, Petr Fiala tha se njësia çeke e inteligjencës kishte përcaktuar se faqja e lajmeve “Zëri i Evropës”, e financuar nga Rusia dhe me seli në Pragë, ishte e angazhuar në “aktivitete serioze kundër sigurisë së Bashkimit Evropian (BE) dhe vendit të tij”.

Fiala tha se faqja e lajmeve prodhonte përmbajtje që sugjeronte se BE-ja nuk duhet të ndihmojë ushtrinë ukrainase kundër Rusisë.

Pas këtyre zhvillimeve, Fiala njoftoi se në listën e sanksioneve u përfshinë faqja e lajmeve “Zëri i Evropës”, politikani dhe biznesmeni rus, Viktor Medvedchuk dhe politikani dhe producenti mediatik, Artyom Marchevsky./AA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: