Autoritetet belge zbardhin vrasjen e Arjan Spahiut i njohur ndryshe si Arjani i Vogël në lagjen Molenbek, në vitin 2020.

Si porositës të krimit, prokurorët belgë që kanë hetuar çështjen akuzojnë Franc Çopjan nga Elbasani, i cili prej vitesh qëndron në Dubai. Sipas tyre, motivi i krimit është larja e hesapeve, pasi grupi Çopja kishte përplasje me kreun e klanit kundërshtar të drejtuar nga Erjon Alibej.

Ky i fundit i njohur me nofkën “Krymi”, mori drejtimin e grupit pas vrasjes së vëllait Endrit Alibej, i njohur me nofkën “Tarzani”, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit”, dhjetorin e 2018.

Arjan Spahiu, i njohur si “Arjani i Vogël”, në lidhje krushqie me Alibej, konsiderohej si financier i grupit, ndërsa ishte duke hetuar për llogari të Erjon Alibej mbi autorët e atentatit mafioz në Bradashesh.

Belgët akuzojnë ndërkohë si ekzekutorë të Spahiut, Florenc Meçen alias Gega si dhe Elvis Muratin. Të paktën, kështu rezulton sipas një letërporosie të mbërritur në Ministrinë Shqiptare të Drejtësisë. Të dy këta të dyshuar janë arrestuar përkatësisht në Spanjë e Gjermani, por nuk janë ekstraduar drejt Belgjikës, për arsye që nuk bëhen të ditura.

Arjan Spahiu ishte viktima e radhës në përplasjen e ashpër mes dy grupeve kriminal, Alibej dhe Çopja, që nisi vite më parë me humbjen e një sasi prej 50 kg kokainë ne Britaninë e Madhe dhe dhunimin e një të riu atje, pasi dyshohej se e kishte grabitur drogën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb