TIRANË- Belind Këlliçi, në një status të tijin në Facebook bën me dije se ka dorëzuar mandatin e anëtarit të kryesisë së PDSH, për të hyrë i barabartë me të gjithë kandidatët e tjerë në garën për Forumin Rinor të Partisë Demokratike.
Këlliçi shprehet se ka një mision të qartë në këtë garë, t’i japë zë dhe shpresë të rinjve, por edhe kontribut në PD për një të ardhme më të mirë. Ai kërkon bashkëpunim dhe mbështetje nga të rinjtë për të kthyer “vlerat dhe standardet demokratike që janë shkelur rëndë gjatë këtyre dy viteve”
STATUSI I TIJ I PLOTË NË FACEBOOK
Të nderuar miq, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe ju që do ti bashkoheni në ditët në vijim këtij forumi!
Siç e dini tashmë Forumi Rinor ka nisur garën për kryetarin e ri të saj. Nga dita e sotme, kam privilegjin e madh dhe përgjegjësinë të nis garën për kryetar me një mision të qartë: Ti japim zë të rinjve, ti japim shpresë, e së bashku një kontribut të madh në krah të PD për të ndërtuar të ardhmen që meriton vendi. Në Forumin Rinor të gjithë do kemi një votë e ajo votë është e barabartë sot në zgjedhjen e lidershipit, e do të jetë nesër me mua në vendimmarrjen e tij. Askush nuk është i tepërt, por të gjithë janë të domosdoshëm në këtë bashkim energjish, zemrash e kontributesh.
E di që është një përgjegjësi e madhe pasi të rinjtë janë zemra e PD por unë nuk do të rresht për asnjë çast së punuari me secilin prej jush, që kjo zemër të rrahë sa më fort e të jehojë sa me fuqishëm, ashtu siç 25 vite me parë të rinjtë u vunë në ballë të lëvizjes për liri e demokraci. Sot të rinjtë duhet të jenë në pararojë të aksionit politik për të rikthyer në këtë vend vlerat dhe standardet demokratike që janë shkelur rëndë gjatë këtyre dy viteve.
Sot dorëzoj mandatin e anëtarit të kryesisë së PDSH, për të hyrë i barabartë në garë me çdo të ri që aspiron ti bashkohet këtij udhëtimi kaq të bukur dhe energjik.
Falenderoj të gjithë mbështetësit e mi që më inkurajuan në këtë vendimmarrje dhe ftoj çdo të ri që dëshiron të japë kontributin e tij në këtë proces, që ti bashkohet ekipit tim të punës, i cili do të bëhet publik për të gjithë ju në ditët në vijim.
(ma.ar/BalkanWeb)
