Prej datës 27 tetor, SPAK ka marrë të pandehur numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun, ndërsa një tjetër zyrtar i lartë, ish-kryebashkiaku i Tiranës vijon të jetë në qeli për disa akuza të rënda.
Nisur nga zhvillimet e fundit që kanë tronditur kupolën e majtë, kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë për Trialog në TVSH u shpreh se, nga krijimi i tij 6 vite më parë, SPAK ka treguar se ka dhënë shenja se nuk ka të paprekshëm. Duke bërë bilancin e tre viteve në drejtimin e institucionit, Dumani tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit, pavarësisht funksionit që ata kanë, politik, publik apo fuqisë financiare që mbartin.”
Ai hodhi poshtë akuzat për selektivitet, duke besuar se këto vite kanë vërtetuar që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. Për të provuar suksesin, Dumani u shpreh se duhet pritur edhe vulosja e vendimeve në gjykata: “Tani vendime të para të formës së prerë kanë ardhur. Kemi zyrtarë shumë të lartë, të lartë që janë dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave.”
***
Transparenca dhe hetimi i Ballukut
Lidhur me informimin e publikut për hetimin ndaj Ballukut, Dumani theksoi kujdesin e SPAK për të ruajtur integritetin e hetimit dhe respektimin e të drejtave të subjektit: “Njoftimi u bë ditën që iu komunikua akuza.”
Kreu i SPAK pranoi vështirësinë për të gjetur balancën mes transparencës dhe ruajtjes së sekretit hetimor. Ai sqaroi se njoftimet bëhen në fazën e ngritjes së akuzës ose kur çështja shkon për gjykim, dhe komunikimi bëhet vetëm përmes faqes zyrtare.
Mbështetja për prokurorin e çështjes
Dumani i dha fund edhe zërave për një kërcënim të mundshëm ndaj prokurorit që ndjek çështjen e Zëvendëskryeministres. Ai konfirmoi mbështetjen e plotë për Prokurorin Premçi, si dhe për të gjithë prokurorët e tjerë.
“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurori të çështjes nga ana ime. Prokurori Premçi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.
Ai shtoi se prokurori Premçi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm në adresë të tij, qoftë nga Kryeministri apo kushdo tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.
***
Për SPAK nuk ka rëndësi emri
Sa i përket prioriteteve në hetime, Dumani ishte kategorik: “Ne nuk i ndajmë hetimet sipas përkatësisë politike dhe funksioneve publike, por për ne është e rëndësishme prova. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme prova dhe jo emri.”
Dumani shtoi se periudha 3-vjeçare në drejtimin e tij ka koinciduar me rritje të numrit të hetimeve për organizata dhe grupe kriminale, duke u përpjekur gjithmonë për hetime shteruese dhe respektim të të drejtave të të pandehurit.
Hetimet për krimin e organizuar
Kreu i SPAK nënvizoi se puna e tyre nuk kufizohet vetëm në luftën kundër korrupsionit, por përfshin edhe krimin e organizuar dhe terrorizmin, fusha ku ka pasur bashkëpunim të suksesshëm me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në Evropë, SHBA dhe Rajon.
