Një pjesë e madhe e vëmendjes në Asamblenë e Përgjithshme të socialistëve u përqëndrua tek fakti që në të mori pjesë edhe deputetja Belinda Balluku, e pandehur e SPAK.
Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Energjisë e Infrastrukturës hyri në mbledhje me një pamje të kuruar me shumë kujdes, me qëndrim të sigurt dhe kokën lart.
Vetëbesimi i Ballukut, teksa ecte në krah të Blendi Klosit, dukej më i madh edhe sesa kur mbante postin e zëvendëskryeministres. Fytyra e saj kishte stampuar një buzeqeshje, jo sikur mbi të rëndojnë disa akuza për miliona euro abuzime me tenderat.
Kjo qetësi dhe ky vetëbesim i ekspozuar publikisht bëhen më të diskutueshme, për shkak se dosja e saj mbetet larg syrit të publikut dhe e mbuluar nga diskrecioni.
Në këtë situatë, kërkesa për më shumë transparencë bëhet e pashmangshme. SPAK duhet të lejojë publikimin e asaj dosjeje, sepse opinioni publik ka të drejtë të dijë çfarë përmban ajo, çfarë interesash mpleksen aty dhe nga buron kjo siguri e pazakontë.
Prania e Ballukut në këtë aktivitet vjen pasi mazhoranca rrëzoi me forcën e kartonave kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit në Kuvend, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardin politik dhe përgjegjshmërinë publike.
