Edhe pas shpërthimit të skandalit me konfliktin e interesit dhe fshehjen e të ardhurave nga zv.sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë Elira Kokona, prokuroria nuk ka nisur hetimin penal për mos deklarimin e pasurisë dhe interesave private nga nëpunësi publik dhe për shpërdorimin e detyrës. Dy vepra penale këto që dënohen respektivisht deri në 3 vjet burgim dhe deri në 7 vjet burgim.

Po ashtu as Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nuk ka nisur ende verifikimet mbi fshehjen e të ardhurave nga Elira Kokona dhe faktin e ushtrimit të profesionit të avokatit privat prej saj, ndërkohë që ishte emëruar në detyra të larta shtetërore.

Sipas dokumenteve zyrtare zëvendës sekretarja e përgjithshme e Kryeministrisë Elira Kokona, pas emërimit në detyra të larta qeveritare në 2013, vazhdoi punën si avokate private, madje në çështje kundër vetë qeverisë shqiptare.

Në shpërdorim të pastër detyre, Elira Kokona rezulton se ka përfaqësuar si avokate private paditës të ndryshëm në çështje kundër Shqipërisë në Strasburg apo arbitrazhe, ndërkohë që paralelisht ishte emëruar sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Kulturës.

Po ashtu pas emërimit në detyra të larta qeveritare zëvendës sekretarja e përgjithshme e kryeministrisë Elira Kokona, i fshehu Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ushtrimin e aktivitetin e saj privat si avokate. Elira Kokona nuk ka deklaruar po ashtu as të ardhurat nga gjyqet kundër qeverisë në Strasburg apo në arbitrazhe.

Me zgjedhjen ose emërimin e tij e në vazhdim, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën më të frytshme të mundshme, çdo gjendje të konfliktit të tij të interesit.
Me standardet e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët që qeveria ka vendosur, Elira Kokona tashmë duhet të ishte shkarkuar me urgjencë nga detyra dhe të kishte hetimi së paku për dy vepra penale, mos deklarimin e të ardhurave dhe interesave privatë nga nëpunësi publik dhe shpërdorimi i detyrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb