Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Quick Response”, duke zbardhur gjashtë raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje, të ndodhura gjatë muajve prill dhe maj në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Si rezultat, u arrestua një 40-vjeçar, banues në Ksamil, me precedent penal për vepra të ngjashme.
Sipas hetimeve, i arrestuari dyshohet se ka vjedhur para dhe sende të ndryshme në pesë dyqane dhe ka tentuar të kryejë një tjetër vjedhje, gjithashtu në një njësi tregtare.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Quick Response”.
Zbardhen 6 vjedhje/tentativa për vjedhje të dyqaneve, të kryera gjatë muajit prill dhe maj. Identifikohet dhe vihet në pranga 40-vjeçari, i dyshuar si autori i tyre.
40-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas provave të siguruara nga puna hetimore dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, finalizuan operacionin e koduar “Quick Response”.
Në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi A. D., 40 vjeç, banues në Ksamil, me precedent të mëparshëm penal.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur shuma parash dhe sende/artikuj të ndryshëm në 5 dyqane, si dhe ka tentuar të vjedhë në 1 dyqan tjetër.
Punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 40-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
