Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në takimin e nëntë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, ka thënë se Serbia po kërcënon dhe minon stabilitetin në rajon.

Ai ka theksuar se përforcimi i forcave ushtarake serbe dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh i një shteti që dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore, andaj kërkoi reagimin nga Bashkimi Evropian për të dënuar këtë veprim.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur tensionet në veri të Kosovës janë shtuar, pas vendimit të qeverisë për të mos shtyrë afatin e ndryshimit të targave.

“Republika e Kosovës në politikat e saj strategjike të orientimit rreshtohet fuqishëm me ato të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s për paqe dhe stabilitet… Ne duam paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por jemi plotësisht të vetëdijshëm se paqen dhe stabilitetin po e kërcënon dhe minon Serbia. Ta zëmë, koncentrimi i këtyre ditëve të fundit i forcave ushtarake të Serbisë dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh dhe porosi i një shteti që dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Prandaj si veprim i tillë duhet të dënohet prej të gjithëve, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb