Një diell i ngrohtë, madje më tepër se kaq, në cakun e një vape të pritshme, më solli në gjuhë fjalën “erdhi behari”. Si çdo muaj thuajse, vrap e në Sarandë. Epo… bukuri! Një shëtitje buzë detit, ja dhe plazhistët e parë. Janë të huaj, më thotë vëllai, kryesisht polakë, skandinavë, por dhe të tjerë, që kanë klimë e ujëra të ftohta andej, sarandiotët ende s’e kanë nisur plazhin. Shkojmë e pimë një kafe vëllami, i thashë mikut tim të shtrenjtë të fëmijërisë, Petros. U ulëm dhe shijuam pamjen e Sarandës, syprinën e lëmuar të detit, lëvizjen e anijeve Sarandë-Korfuz, atë vallëzim të lehtë valëzash me llokoçitjen si gërrhimë bregut, që mua sepse më qetëson aq shumë. Eh, deti, kjo madhështi, kjo qetësi, kjo shushurimë pranë teje. U ulëm, pimë kafe, ujë, ndërsa vëllami im një teke raki. Dhe dër, dër, dër muhabet. Mrekulli. Sa bëjnë i thamë kamarierit në fund. 10 mijë lekë, u përgjigj ai. Sa, sa? Toni i zërit tim kishte ndryshuar pa dashje. 10 mijë, zotëri. Paguam dhe ikëm. Stomaku e mëlçia sikur më kishte prodhuar në beft një kg. vrer. Dhe më iku sysh imazhi trallisës i qytetit, dhe më iku valëzimi i lehtë i detit me llokoçitjen në breg; dhe anijet që shkonin e vinin Korfuz-Sarandë m’u bënë si ndoca rrëshqanorë ujërash të turbullta që po më kafshonin tinëz, dhe inati, fjalët që kishin mbetur dhëmbëve, sharja për dikë-diku-askund, mbase me veten time mateshin të më fashitnin disi mërinë.
– Si e ka emrin ky lokal? – më pyeti vëllami.
– Berberhane, – ia ktheva aty për aty.
Vëllami e kuptoi fare mirë ironinë.
– Berberhane speciale qenka vërtet, – plotësoi ai për lokalin e shtrenjtë, – na qethi mirë.
– Si shpejtë e nisën qethjen këta, s’ka filluar ende sezoni turistik. E vure re, në gjithë atë lokal ishim vetëm 5 vetë, 3 ne e një çift të huajsh. Me 5 vetë do fitoj ky i zoti makut i lokalit, duke i ngritur çmimet në stratosferë, sikur të ishim në ishujt Bahama, apo duke i ulur pak dhe t’i mbush tavolinat me njerëz që të gëzojnë ditën e tyre, paqen, rehatinë?
Pyetje e vështirë për këta biznesmenët e bareve dhe lokaleve të bregut të Sarandës për kah fshati Çukë.
-Eh!, – më shpëtoi padashje një psherëtimë, – sezoni veror nuk qenka për banorët e Sarandës dhe xhepat e tyre, por për të ardhurit që vijnë për t’i zbrazur ato në pak ditë…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: