Esat Mala ishte një nga më të dalluarit e Vllaznisë në sezonin 2024-25. Prizrenasi shënoi 7 gola dhe dhuroi 12 asiste për shokët e skuadrës, duke përjetuar kështu sezonin e tij më të mirë në karrierë dhe këtë e arriti me fanellën kuqeblu.
Megjithatë, kontributi i 26-vjeçarit nuk kufizohet vetëm nga statistikat, por edhe ajo çfarë ka dhuruar në fushën e lojës. Ish-mesfushori i Partizanit është vlerësuar thuajse çdo javë për performancat e tij. Nga ky fakt, te Vllaznia duan të rinovojnë menjëherë kontratën me shtatshkurtrin, për të mos lënë të largohet një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Vullneti duket i njëjtë nga të dy krahët për të vijuar këtë bashkëpunim.
Sipas burimeve pranë “Panorama Sport”, Mala ndihet shumë mirë në Shkodër dhe kërkon ta vijojë karrierën aty dhe vetëm ndonjë ofertë nga jashtë vendit mund të tundojë numrin “20”, që edhe para pak sezonesh ishte pranë aktivizimit në Superligën e Turqisë. Megjithatë, momentalisht Mala po shijon pushimet jashtë Shqipërisë. Dhe vetëm me kthimin e tij do kuptohet më shumë rreth së ardhmes, ku ekipi i parë me të cilin Mala do të bisedojë për sezonin e ri do jetë pikërisht Vllaznia.
