Përjashtimi 10-ditor i Sali Berishës nga punimet e Kuvendit ka sjellë reagimin e nënkryetarit të PD, Agron Gjekmarkaj. Në fjalën e tij gjatë Konferencës së Kryetarëve, Gjekmarkaj e cilësoi vendimin si një rast të paprecedentë, duke akuzuar mazhorancën se po shmang debatin dhe po trajton institucionin si “bahçe personale”.
Ai theksoi se mazhoranca ka frikë nga fjala e opozitës dhe nga e vërtetat që, sipas tij, Berisha deklaron në Kuvend.
Agron Gjekmarkaj: Keni krijuar një rast të paprecedentë. Ku njeriu flet jashtë dhe ju e përjashtoni brenda. Ku njeriu flet në mëngjes dhe Toni Gogu nxehet në darkë. Ju kërkoni të shmangni debatin.
Ju keni frikë nga fjala e Sali Berishës dhe të vërtetat që ai thotë! Po e trajtoni Kuvendin si “bahçe” personale! Edhe një kovaçane punon mbi rregulla ndërsa ju si treshe e keni marrë peng! Keni koncepte shërbëtorësh jo ligjvënësish! PD dhe Sali Berisha janë këtu që liritë dhe e vërteta të mbrohen dhe do t’i mbrojmë.
