TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të angazhohet për Shqipërinë si në një rast urgjent për shndërrimin e vendit në republikë të kanabisit. Edhe vendet e tjera do të preken direkt nga kultivimi i drogës në Shqipëri dhe të njëjtin mesazh Berisha ia përcjell edhe BE-së, Interpolit e Europolit. Nëse nuk ndërhyhet, sipas Berishës, shoqëria do të rrënohet e reputacioni i vendit në botë po ashtu. “Shqipëria po shndërrohet në republikën e kanabisit. Shqiptarët në Shqipëri po shndërrohen në kombin kanabisit”.

Është kjo deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha, në një intervistë për “Abc News”. Në Shqipëri ditë pasdite ndodhin shumë ngjarje, por sipas Sali Berishës, asgjë nuk e kërcënon të ardhmen e saj më seriozisht se kanabisi.

“Në mënyrë të pashmangshme për ata që e njohin, që kanë abc-në e historisë së këtij vendi, kjo është rruga e shkatërrimit të qenies kombëtare. Sepse kjo mbjellje masive në mënyrë absolute të pashmangshme dora-dorës dhe pa vonesë do të çojë në përdorimin masiv të kësaj droge, çka do të thotë rrënim i qenies individuale dhe kombëtare”, tha Berisha.

Ai flet me përgjegjësi të plotë dhe i bindur se në Shqipëri vetëm këtë vit është mbjellë kanabis më shumë se në 25 vite të së bashku dhe akuza e tij direkte është e ditur: për drejtues të Policisë së Shtetit, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin.

“Nga Pogoni i Gjirokastrës gjer në alpet e bjeshkët e Tropojës, në vende ku nuk ta pret mendja se mund të shkohet për të mbjellë dhe që të gjitha pa përjashtim janë nën kujdesin e plotë të shefave të policisë, drejtorëve të policisë”, shprehet ish-kryeministri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: