Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për uzurpim të institucioneve dhe tentativë për marrjen nën kontroll të drejtësisë dhe Parlamentit.
Berisha deklaroi se zhvillimet e fundit në vend, sipas tij, faktojnë “degradimin total të narko-shtetit”, duke e cilësuar Ramën si kreun e një organizate kriminale që synon të kontrollojë çdo qelizë të pushtetit. Ai pretendoi se janë ndërmarrë veprime për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe akuza për ndërhyrje në sistemet e SPAK.
“Edi Rama ka pushtuar de facto Parlamentin dhe po e përdor atë si instrument për një grusht shteti ndaj drejtësisë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se qeveria po përgatit miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara për të bllokuar hetimet penale ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas Berishës, mazhoranca synon të kufizojë edhe hapësirat minimale të opozitës në Parlament, duke penguar fjalën për procedurë, interpelancat, komisionet hetimore dhe të drejtat kushtetuese të opozitës.
Ai theksoi se “figura e kryeministrit po errësohet çdo ditë e më shumë”, pavarësisht, sipas tij, shpenzimeve të mëdha për imazh, dhe se vendi po përballet me largim masiv të qytetarëve për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë, duke theksuar se “fjala tani është vetëm e qytetarëve”, të cilët, sipas tij, duhet të ngrihen për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi aktual.
Ai deklaroi se Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të vendosur në një “betejë përfundimtare” për largimin e asaj që e cilësoi si qeverisje e narko-shtetit dhe për vendosjen e një qeverie teknike, me dy objektiva kryesore: reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, si dhe reformën territoriale dhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Berisha përfundoi duke theksuar se opozita do të kërkojë heqjen dorë nga çdo formë bllokimi ndaj veprimeve të sistemit të drejtësisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta nga unë, të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë bisedë me ju në rrjetet sociale.
Zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit, faktojnë se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama në ethet e tij, në urinë e tij të pashuar për pushtet dhe për të vendosur në kontroll çdo qelizë të narko-shtetit, ka porositur rezultoi së fundmi hakerimin te kompjuterëve të SPAK-ut të partisë, vetëm e vetëm që t’i ketë ata në kontroll të plotë.
Skandalet njëri pas tjetrit nuk kanë të sosur.
Edi Ramës po i nxihet çdo ditë e më shumë figura e tij me gjithë dhjetëra në mos më shumë milionë euro dhe dollarë që ai shpenzon për imazhin e tij, për ta paraqitur atë si një lider me vlera, në fakt del një lider i antivlerave të vërteta.
Ai po merr çdo masë që drejtësinë ta bllokojë.
Dje informoi se kishte ndërmend me procedura të shpejtuara të miratonte ligje që bllokojnë veprimin apo përpjekjen e institucioneve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, ndjekjen e tij penale dhe ndjekjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Ai do kalojë me sa duket kodin e ri të ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një kod i vërtetë i një narko-diktature, kod me të cilin ai sigurisht bllokon veprimet e pushtetit gjyqësor, mbron aktet kriminale të vetat, familjes së tij dhe qeveritarëve të tij.
Ndërkohë që u zotua gjithashtu se do bëjë gjithçka për t’i shkurtuar, për t’ia gjymtuar përfundimisht dhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë, pasi nuk bëhet më fjalë për debate dhe ligje, nuk bëhet fjalë për interpelanca, nuk bëhet fjalë për komisione hetimore parlamentare dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit opozitës.
Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë.
Këto janë rrethanat, këto janë zhvillimet.
Fjala është vetëm e qytetarëve.
Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët.
Hetime të shumanshme ndërkombëtare po zhvillohen në drejtim të krimit të organizuar në Shqipëri dhe karteleve të drogës.
Por u siguroj se shpëtimi i Shqipërisë do i vijë vetëm nga opozita shqiptare.
Opozitë kjo e vendosur.
PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.
Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve,.
Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë.
