Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim virtual me shqiptarët në diasporë, ku ka theksuar angazhimin e tij për krijimin e kushteve më të mira për rikthimin e tyre në Shqipëri.

Ai garantoi se do të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme për të mundësuar një “soft landing”, duke ofruar mbështetje për investimet dhe strehimin e diasporës, si dhe krijimin e një sistemi pa taksa për pesë vitet e para.

Berisha theksoi se do të marrë fund diskriminimi dhe do të ofrohen bonuse për fëmijët që lindin kudo në botë. Ai gjithashtu tha se prioriteti i parë do të jetë lufta kundër varfërisë ekstreme dhe krijimi i një mjedisi të favorshëm për biznesin dhe investimet e huaja.

Kreu i PD-së e cilësoi ambicien për Shqipërinë Madhështore si një vend që do të jetë përpara të zhvillimeve teknologjike, duke përfshirë dixhitalizimin, inteligjencën artificiale dhe blockchain, duke i dhënë mundësi shqiptarëve të realizojnë ëndrrën e tyre në atdhe. Ai mbylli fjalën e tij me mirënjohje të pakufishme për punën dhe angazhimin e diasporës shqiptare.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

Unë ju garantoj ju, se përpjekjet më të jashtëzakoshme do të bëhen, që të krijohen kushtet më të mira për kthimin tuaj në Shqipëri, për suksesin tuaj në Shqipëri, për zbatimin e atyre që ju keni mësuar në vende të tjera, për investimin e atyre kursimeve që keni arritur me punën tuaj në ato vende.

Një sistem pesëvjeçar pa taksa për secilin prej jush dhe jo vetëm kaq.

Një mbështetje për strehimin dhe nevojat e tjera, pra do bëhet gjithçka për një soft landing, për një kthim të butë dhe të suksesshëm tuajin në Shqipëri.

Sikundër do marrë fund diskriminimi.

Ato bonuse që do jepen për fëmijët e lindur, ato bonuse do jepen për shqiptarët që lindin kudo në botë.

Do bëjmë gjithçka me ata, që për shkak të pozicioneve që kanë nuk kthehen dot, të kontribuojnë kudo që janë online.

Unë llogaris shumë pjesëmarrjen tuaj si kusht për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore, e Shqipërisë epiqendër e teknologjive të fundit në rajon dhe më gjerë.

Natyrisht prioritet absolutisht i parë do jetë paketa e shpallur kundër varfërisë ekstreme, largimi i saj tre muajt e parë.

Paketa fiskale për biznesin.

Taksat e ulëta.

Tërheqja e investimeve të mëdha të huaja.

Por, pas kësaj, ambicia jonë është Shqipëria Madhështore.

Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria ku ju do ndërtoni ëndrrën tuaj, Shqipëria me dixhitalizmin më të thellë, e inteligjencës artificiale, e blockchain, e internetit 3, e datacentareve dhe një Shqipëri pra, që ecën me hapin e kohës.

Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për të gjithë punën që keni bërë.

Ju falënderoj shumë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb