Kreu i PD Sali Berisha deklaroi se dokumenti i Kongresit të SHBA, flet qartë për korrupsionin e Ramës.
Gjatë fjalës së tij në protestën përpara Kryeministrisë Berisha tha se në dokument tregohet qartë korrupsioni i Ramës, Ballukut, duke renditur edhe skandalin e AKSHI.
“Këtë javë, në tempullin e demokracisë, komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë ato për të cilat ju protestuat, dhe për të cilat do të protestoni me 24 janar.
Në këtë dokument nxin për faqen e zezë të tij Edi Rama dhe Lubi Balluku, që po bllokon ligjin dhe shtetin ligjor. Protesta dhe vetëm protesta është rruga e mbrojtjes së tyre. Por dokumenti, historik do ta quaja unë dhe është i tillë, e quan eksplozive, shpërthyese, AKSHI-n e Edi Ramës dhe të Lindave të tij. Dokumenti i miqve tanë shkruan se ajo çka flitet për AKSHI-n, dhe çka del, është kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për SHBA, edhe për NATO-n.
Ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate.
Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi. Ndaj dhe duhet të frymëzohemi. Duhet të bëjmë përpjekjet më të jashtëzakonshme që me 24 janar, bota të mësojë fuqinë tonë, guximin tonë, vendosmërinë tonë”, tha ai.
