I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, DAVID WISNER, i përgjigjet akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me SPAK.

“Panorama”: U referohem deklaratave politike të z. Berisha, i cili e konsideron SPAK si “kamxhikun e Ramës”, ndërsa Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideron reformën në drejtësi dhe SPAK-un produkt të partisë së tij për shtetbërje. Cila është përgjigja juaj për këto pikëpamje të palëve politike në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb