Ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalimin që i drejton çdo pasdite mbështetësve të tij nga ballkoni i banesës ku qëndron në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, tha se PD e ka shpallur se epiqendra e programit tonë do të jetë investimi te qytetari, do të jetë begatia për qytetarët.

“Në vend sot bien kudo sirenat e skamjes. Sirenat e xhepit bosh.

Sirenat e numërimit të kafshatës. Edi Rama rrokullisi Shqipërinë në vendin e fundit në Europë për të ardhura për frymë. Me rrogat më të ulëta.

Shndërroi pasuritë përrallore të vendit në një mallkim për qytetarët dhe parajsë për bandën e tij.

Duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të mos numërojnë paratë e jetesës së tyre. Të mos numërojnë ushqimet që marrin për të kaluar muajin. Që shqiptarët të kenë mundësi të përfitojnë nga pasuritë e këtij vendi. PD e ka shpallur dhe e shpall se epiqendra e programit tonë do të jetë investimi te qytetari”, tha Berisha.

Në vijim ai u shpreh se do të jetë zero tolerancë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Do të jetë Shqipëria në rrugën e integrimit, e sigurt vend anëtar i BE.

Sot në historinë e botës është një ditë e madhe. Është dita e zbarkimit në Normandi të fuqive aleate, zbarkim që shpëtoi Europën nga tirania e zezë.

Nderim të gjithë atyre që ranë dhe fituan pavdekësinë për lirinë e Europës, lirinë e kombeve të tyre.

Por sot duhet të rikujtoj se midis të gjithë diktaturave, më e zeza, më brutalja, më mizorja është diktatura e krimit dhe e bandave.

Është diktatura që ka larguar nga Shqipëria vetëm në hapësirën e BE 1 milion shqiptarë.

Ndaj dhe luftëtarë lirie, të përmbushim misionin tonë, të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: