Sali Berisha ka kritikuar ashpër Ligjin për Barazinë Gjinore, duke e quajtur “ligji më i keq i votuar në ndonjë vend të planetit”.
Ai tha se ky ligj rikthen “gjahun stalinist të shtrigave”, duke theksuar se sipas tij, akuzat për diskriminim gjinor duhet të faktohen, përndryshe personi i akuzuar nuk mund të dëmtohet. Berisha shtoi se ekstremi i majtë po përdor këtë ligj për të krijuar padrejtësi dhe se “koha na dha të drejtë, çështja e shqiptarëve u bë botërore”.
Kryetari i PD, akuzoi gjithashtu qeverinë për të qenë një “diktaturë narkomane” dhe tha se nuk do të pranojnë ligje që shkelin interesat e qytetarëve shqiptarë. “Do të qëndrojmë në emër të interesit të shqiptarëve dhe nuk do të pranojmë vdekjen e vendit para syve tanë”, deklaroi Berisha.
“Çështja e shqiptarëve u bë botërore. Ne kemi kontribute si shtet, si vend. Ky është ligji më i keq i votuar në ndonjë vend të planetit. Sipas këtij ligji, rikthehet gjahu stalinist i shtrigave. Në çfarë forme? Nëse dikush të akuzon se më diskriminove për arsye gjinore, ti që akuzohesh duhet të faktosh; përndryshe do të dënohesh.
Këtë gjë e bëri ekstremi i majtë. Kjo është e vërteta! Ky është ligji. Nëse do të pranohen gjëra të tilla, ne nuk do të pranojmë kurrë. Narkoshteti ka mbështetje! Diktatura narkomane ka mbështetje. Çfarë do të bëjmë ne? Do të qëndrojmë në emër të interesit të qytetarëve shqiptarë apo do të pranojmë vdekjen para syve tanë të këtij vendi? Nuk do të tërhiqemi; do të ‘paguajmë’ me çdo çmim.”, tha Berisha.
