Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura ndaj tij, duke deklaruar se Prokuroria e Posaçme ka shtuar si element akuze faktin që fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave, një proces nga i cili, sipas tij, kanë përfituar mbi 1 milion qytetarë shqiptarë.

Berisha sqaroi se në dosjen e akuzës thuhet se pasi ai u zgjodh President i Republikës në vitin 1992 dhe qëndroi në detyrë deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi, të cilët në atë kohë nuk kishin asnjë lidhje me çështjen “Partizani”, kanë nisur investime për përfitim të të drejtave mbi pasuri të paluajtshme.

Duke iu referuar deklarimeve të pasurisë të depozituara në ILDKPKI, Berisha theksoi se vajza e tij, Argita Malltezi, në deklaratën e vitit 1993 ka evidentuar vetëm pronësinë e një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, të përfituar nga privatizimi, ku zotëronte një të tretën e apartamentit.

Ai shtoi se edhe vetë ka deklaruar një apartament 3+1 të privatizuar, ku e drejta reale e pronësisë u takon bashkëjetuesve, bashkëshortes dhe djalit.

“Fakti që vajza dhe djali im, në përputhje të plotë me ligjin, kanë përfituar nga privatizimi i banesave, po paraqitet si akuzë për korrupsion nga një prokurori politike,” u shpreh Berisha, duke theksuar se ligji i privatizimit të banesave parashikonte përfitim edhe për fëmijët mbi 18 vjeç.

Sipas tij, konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme janë jo vetëm të pabazuara në fakte, por edhe alogjike, pasi përpiqen të rëndojnë situatën duke lidhur në mënyrë artificiale funksionin e tij shtetëror me procesin e privatizimit.

“Familja Malltezi ka përfituar nga privatizimi i banesave ashtu si mbi 1 milion shqiptarë. Në atë kohë, ata nuk kanë qenë kryefamiljarë, por anëtarë të familjeve që kanë privatizuar banesat në përputhje me ligjin 7652,” deklaroi Berisha.

Ai e cilësoi këtë si një risi të akuzës së ngritur nga SPAK, duke e konsideruar atë të motivuar politikisht dhe pa bazë ligjore.

Berisha: Sa për t’ju informuar se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president i republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen Partizani, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë. Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metër katrorë në rrugën Myzeqari, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.

Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë.
Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike.

Edhe njëherë, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike. Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.

Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me ligjin 7652. Ky është pra noviteti i akuzës së Altin Troplinit dhe ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, sikundër dhe Enkelejda Fetahut. Sepse kjo është Balla ose Fetahu mund ta quajmë këtë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb